Njoftimi i Luis Enriques që do të largohet nga Barcelona në fund të sezonit ishte i pritur, mirëpo momenti i zgjedhur për të dhënë lajmin, në konferencën për media të mërkurën mbrëma pas fitores së thellë 6:1 ndaj Sporting Gijonit, ishte befasues, shkruan Koha Ditore.
Në fakt, ai kishte shqyrtuar mundësinë që të mos vazhdojë kontratën përtej verës së këtij viti gjatë fazës parasezonale verën e kaluar, siç tha ai, pas rënies dramatike në fund të stinorit të kaluar, që ishte i dyti për të në krye të Barçës. Barcelona u eliminua në Ligën e Kampionëve dhe skuadra katalunase arriti të siguronte La Ligan vetëm në xhiron e fundit.
Kjo rënie në formë, që pa skuadrën të humbasë tri ndeshje rresht në ligë për herë të parë në 13 vite, ishte shenja e parë se rrotat e kësaj makine spektakolare kanë nisur të prishen – makinës që kishte fituar “tripletën” në stinorin e parë të Enriques. (b.an)