Në vitin 2016, sistemi bankar shqiptar ka arritur të ketë më shumë depozita në euro, sesa në monedhën vendase, për herë të parë në historinë e tij.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë (që publikoi të dhënat për dhjetorin dhe janarin) në janar të vitit 2017, stoku i depozitave në valutë (kryesisht euro) arriti në 531 miliardë lekë, me një rritje prej 6.6% me bazë vjetore. Në vlerë absolute, kjo është rritja më e madhe e kursimeve vjetore në valutë, që prej vitit 2007.
Ndryshe nga valuta, kursimet në monedhën vendase ranë me gati 1% me bazë vjetore, duke arritur në 482 miliardë lekë. Tkurrja e depozitave në lekë është e ndikuar kryesisht nga ulja e normave të interesit, që për ato njëvjeçare arritën në më pak se 1%. Në një mjedis të tillë të pafavorshëm për të kursyer, individët kanë reduktuar depozitat me afat në lekë. Këto të fundit ranë në 11% në janar, me bazë vjetore, apo rreth 270 milionë euro që janë tërhequr dhe kanë kaluar në maturitete më afatgjata, janë investuar në letra me vlerë të qeverisë, apo dhe në alternativa të tjera, si platformat online.
Rritja e depozitave në valutë nuk arriti të kompensojë ato në lekë dhe në janar kursimet në ekonomi në total ranë me 300 milionë lekë me bazë mujore.
Për gjithë vitin 2016, kursimet në total u rritën me 2.9%, të udhëhequra tërësisht nga valuta.
Në një ekonomi, ku monedha kombëtare është leku, depozitat në valutë në janar arritën në 52.4% të totalit.
Por e gjithë kjo valutë në ekonomi nuk duket se do të sjellë vlerë të lartë të shtuar. Bankat e kanë frenuar kredidhënien në valutë, stoku i së cilës po bie vazhdimisht, duke arritur në 52.4% të totalit në janar 2017, nga rreth 70% që ishte vite më parë. Një pjesë e kredisë madje po shkon jashtë vendit. Normat e ruajtjes së fondeve jashtë vendit janë pothuajse zero dhe si rrjedhojë, interesat që bankat ofrojnë te klienti janë afër zeros. Ajo që ka tentuar të përfitojë është qeveria, që shiti dy herë gjatë vitit të fundit letra me vlerë në euro.
Fondi Monetar Ndërkombëtar, pak ditë më parë këshilloi autoritetet që duhet të vazhdojnë të ndjekin një de-euroizim gradual, duke pasur në konsideratë rreziqet e këtij procesi. /Monitor/