Zëdhënësi i kancelares gjermane Angela Merkel ka reaguar për protestën e opozitës në Tiranë. I pyetur nga gazetarët Steffen Seibert thotë se Gjermania mbështet kursin e reformave të qeverisë shqiptare.
Pyetje: Do të doja t’ju pyes edhe për një rajon tjetër, Ballkanin Perëndimor, për Shqipërinë për të qënë më specifik. Për dy javë rresht, opozita ka bllokuar Parlamentin. Lideri opozitar Basha thotë se ka marrë mbështetjen e shumë përfaqësuesve të huaj për të rrëzuar qeverinë e korruptuar të Edi Ramës e për të caktuar një qeveri teknokrate e cila të qëndrojë në pushtet deri në muajin qershor. A është qeveria federale e Gjermanisë një prej përfaqësuesve të huaj që mbështesin këtë pretendim?
Seibert: Nuk jam në dijeni të kësaj deklarate të liderit të opozites shqiptare. Ajo që mund t’ju them është se qeveria federale e Gjermanisë mbështet kursin e reformave të qeverisë shqiptare. Siç e dini, Shqiperia ka ndërmarrë disa hapa drejt një reforme gjithëpërfshirëse të sistemit gjyqësor. Gjermania asiston dhe mbështet sidomos këtë proces të reformës në drejtësi duke dërguar edhe gjykatës gjermane në misionin EURALIUS. Është në interesin e popullit të Shqipërisë, ku meqë ra fjala shumica e dëshiron këtë reformë, që të ecë përpara në këtë proces. Për këtë arsye, është e rëndësishme që të gjitha forcat politike punojnë së bashku në Parlament. Nisur nga kjo, qeveria federale e Gjermanise i bën thirrje të gjitha partive politike të Shqipërisë të zbusin mosmarreveshjet politike. Thirrjet për dhunë, që dëgjohen herë pas here, nuk mund dhe nuk duhet të jenë një nga mjetet për të imponuar pozicione konfliktuale politike. /tch/a.k