Në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ka më shumë postera të Arminës në kopertinën e një reviste që tregon për pushimet përrallore në hotelet me shtatë yje, se sa protestues brenda çadrës. E dashura e re e djalit të ish- kryeministrit Berisha, ka një vendosmëri të admirueshme për të reklamuar luksin dhe vanitetin, edhe në raport me të dashurin e saj, pavarësisht klimës politike. Skenat e tyre publike here- herë janë më shumë se sa vulgare. Bëjnë ditëlindje të tipit “laçian”, duke tronditur Tiranën me fishekzjarre, flasin për udhëtime luksoze dhe pushime përrrallore etj.
Pastaj ndajnë rolet. Njëri rri në këmbë tek çadra dhe nxit protestën, tjera rri në posterat që rrethojnë bulevardin dhe tregon jetën e tyre të luksit.
E gjitha kjo nuk do t’ia vlente për vëmendje, nëse Sali Berisha do ta kishte shkëputur jetën e tij politike nga fëmijët e tij, dhe do mbante distancën e duhur nga bëmat e tyre, dhe nëse nuk do t’i përdorte këto gjëra ndaj kundërshtarëve të vet. Jo më larg se sot, ai ka postuar “fakte”, që tre ministra shkojnë me dashnore në hotele (më kënaqi që kishte bërë dhe Ilir Beqajn kurvar)
Por dhe ditën e parë të hyrjes së tij në çadër, Berisha ju referua “vuajtjeve” të fëmijëve të tij, si një prej arsyeve përse ishte aty.
Tetë vite më parë, kur shpërtheu Gërdeci, ai u përball për herë të parë si politikan me një gjëmë të fëmijës së tij, dhe kishte shansin, ose të respektonte shtetin dhe të dorëzonte djalin para drejtësisë, ose të shkatërronte shtetin dhe të mbronte djalin. Zgjodhi të dytën dhe prej asaj kohe, ai është peng në politikë, i këtij vendimi.
Pas 26 arkivolëve të Gërdecit, për të cilët u desh të hidhej vetë në luftë për djalin, u desh ta mbronte atë dhe nga dy sipërmarrës karagjozë amerikanë, që shisnin fishekë kinezë të blerë në Shqipëri në Afganistan, dhe ku i biri i tij, siç e dëshmojnë vet ata, u hyri në mes si sekser për të shmangur partnerin shqiptar Kosta Trebicka. Më vonë partneri u gjet i vrarë, “pasi kishte shkuar për gjah”, ndërsa dy amerikanët përfunduan në burg.
Berisha ishte i vetmi që nuk u dorëzua përsëri. Nuk e dorëzoi atë, as në skandalin e tokave në bregdet, që nga plazhi i Gjeneralit, e deri tek historia e tokave në Ksamil, edhe pse dy shokët e djalit dalin gjithandej si pronarë me tokë të dhuruar nga ata që u kthehet toka.
I futur në një spirale pa kthim, Sali Berisha u kthye në të vërtetë në një badigard të historive të djalit të tij, për çdo transaksion, për çdo privatizim, për çdo koncesion që ai ka dhënë nën rekomandimet e tij.
Tani në vitin e katërt të opozitës, Sali Berisha duket se po këmbëngul të qëndrojë në politikë për të njëjtën arsye. Ai duket se ndjehet i pasigurt se çfarë mund të ndodhë për familjen, nëse ai nuk është ende një faktor në politikë. Për herë të parë në historinë e tij, i biri, që nuk ka shkuar të dëshmojë as për Gërdecin, as për fishekët kinezë e Kosta Trebickën, dhe as ndërmjetësitë e tij në çdo privatizim e koncesion, po dëshmon për një aferë korruptive, ku roli i tij është flagrant. Bëhet fjalë për privatizimin e OSHE nga CEZ, ku një sekser i emëruar prej tij, ka tërhequr 7 milionë euro brenda ditës para zgjedhjeve të 2009 dhe se një partner i tij i regjistruar ne parajsat fiskale, në koncesionin e ngjyrosjes së naftës, rezulton se ka paguar në adresë të tij shuma të majme.
Në gjithë këtë panoramë dramatike të përpjekjeve të Berishës për të mbrojtur historitë korruptive të familjes së tij, ky shkëlqimi i romancave dhe luksit të djalit të tij që rrethojnë çadrat e protestuesve me karafila dhe luks pushimesh në resorte shtatë yjëshe, nuk ka shpjegim normal.
Sali Berisha është prej atyre që e di fuqinë që kanë këto dy panorama tek njëra- tjetra. Ai vetë është përdoruesi më i madh i shpikjeve për jetën private të kundërshtarëve në raport me politikën. Ai vetë përditë krijon historira dashnoresh, për ministra apo zyrtarë të pasur, me shpresë se kështu do të nxisë revoltën popullore kundër tyre. Fakti që i njëjti person nuk e ndal dot këtë marrëzi brenda familjes së tij, është shenjë e frikshme, se ai vërtetë nuk ka pasur çfarë t’i bëjë të birit. Ndoshta duhet menduar pozitivisht për Sali Berishën si njeri në hall në këtë rast, edhe pse ai nuk e do këtë “nam të keq”.
Se të bësh protestë politike në çadër kundër varfërisë dhe korrupsionit, të flasësh për miliona dhe afera seksuale të kundërshtarëve dhe të mbushësh Tiranën me kopertinën e një interviste idiote që tregon si ia “japin” pronarët e hoteleve me shtat yje dhomën falas, do të thotë se ke një hall më të madh se sa duket. Ose nuk të pyet njeri as brenda familjes biologjike, ose vetë familja është duke i bërë karshillëk “Republikës” së re të Lulzim Bashës, i cili nga një anë denoncon oligarkët, dhe nga ana tjetër çadristët kanë sytë nga kopertina e Arminës.
Dhe kjo mund të prodhojë një bezdi më të madhe brenda çadrës për pafuqinë e Sali Berishës ndaj familjes së tij, ose ligësisë me të cilën kërkon të mbysë një protestë që duket se po i nxjerr nga duart dhëndrrin brenda, që ka fut në PD. Dhe këtë sherr luksi kishte tepër çadra!