Në vijim të fushatës së rekrutimeve për ushtarë aktivë në Forcat e Armatosura, gjatë ditës së sotme ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli zhvilloi një bashkëbisedim me maturantët e gjimnazit “Shaban Çollaku” në Klos.
Gjatë bashkëbisedimit me gjimnazistët, ministrja Kodheli u shpjegoi atyre se, përse ata duhet të zgjedhin Forcat e Armatosura. Sipas ministres, shansi për të studiuar jashtë vendit në akademitë më të mira dhe universitetet më të mira në botë, është më së pari kur je pjesë e Focës së Armatosur, duke filluar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Britaninë e Madhe, në Francë, në Itali, në Gjermani, në Greqi, në Tuqi dhe në të gjitha vendet e tjera aleate në NATO.
Si në çdo bashkëbisedim të zhvilluar në kuadër të fushatës së rekrutimeve, Kodheli nuk reshti së përmenduri se, FA është pjesa më e mirë e shoqërisë shqiptare. Këtë, ajo e lidh me dedikimin me të cilin këta njerëz punojnë dhe që është i ndryshëm nga çdo shërbim tjetër që mund të marrë gjithsekush në jetën e tij të zakonshme.
Fushata e aplikimeve për ushtarë/detarë aktivë në Forcat e Armatosura, ka nisur dhe mbyllet më datë 17 mars 2017./a.m.