Nga Ben Andoni
Pas pak orësh Gjykata Kushtetuese do të marrë në shqyrtim Ligjin e Dekriminalizimit. Një kazus i ngritur nga Rroshi, ish-bashkiaku i Kavajës, që nëpërmjet avokatit Theodhori Sollaku, veç ankimimit për shkarkimin e tij kërkon edhe shfuqizimin e Ligjit të Dekriminalizimit.
Juristi Sokol Hazizaj, ish-zv/ministër i Drejtësisë, i pyetur nga Javanews, mendon se “Ka fare pak gjasa që Ligji i Dekriminalizimit të shfuqizohet apo të kthehet nga Gjykata Kushtetuese. Arsyeja është se ligji është votuar me të 140 kartonat e ligjvënësve shqiptarë dhe në dokumentin themeltar, një hap i tillë, e bën Gjykatën Kushtetuese që të shikojë vetëm procedurën, por jo verdiktin. Dhe, kjo ndodh rëndom me ligje të veçantë, që e kanë këtë madhësi votash absolute”.
Elvis Rroshi, fill pas shkarkimit të tij e ka ankimuar vendimin e qeverisë për shkarkimin e tij si kryebashkiak i Kavajës, por ndërkohë ka kërkuar edhe shfuqizimin e ligjit të dekriminalizimit. Kazusi, që po ngrihet nga ai do të nxjerrë dhe handikapët që i vishen këtij ligji.
Ndërkohë që deri në mesin e muajit shkurt 2017 ishin plot nëntë funksionarë të lartë, deputetë dhe kryebashkiakë, të cilët ishin në listën e prokurorisë me dyshimin se përbënin objekt të Ligjit të Dekriminalizimit. Në ditët që do të vijonin u zbulua se 6 prej listës ishin deputetë dhe 3 kryebashkiakë, respektivisht të qyteteve të Poliçanit, Tepelenës dhe Pogradecit. Madje, u treguan edhe emrat: Artan Gaçi, Armando Prenga, Gledion Rehovica, Aqif Rakipi, Omer Mamo dhe Mhill Fufi. Një gjë që e bashkonte të gjithën ishte se të gjithë ishin pjesë e të Majtës, përveç Mhill Fufit dhe kryetarit të Bashkisë së Pogradecit Eduard Kapri, por që edhe këta ishin më afër mazhorancës.
Por, ndërkohë Hazizaj, përveç asaj që do të sillte situata ishte një nga juristët e parë dhe më të qëndrueshëm të faktit që ligji ka nevojë të rishikohet, sepse ai shkaktonte përplasje me ligjet e tjera sa i takonte detyrimeve ligjore. Ai shkonte edhe më tej, kur vërtetonte se ligji nuk përputhej as me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. “Duhet ta bëjmë të qartë se ligji nuk shkon me detyrimet e të drejtave të parashikuara në Kushtetutë, pikërisht në kapitujt e përgjithshëm të të Drejtave të Njeriut dhe me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Dhe, ligji duke shkaktuar këtë konflikt me ligjet e tjera, duhet të përputhet me detyrimet e tjera ligjore, siç është Kodi material Penal dhe legjislacioni në përgjithësi”, shprehet Hazizaj.
Ndërkohë që pak kohë më parë, në vazhdën e trajtimeve për të njëjtin Ligj, ai është shprehur në media se ai nuk përmban as penalitetin dhe nuk realizon objektivin. “Në përmbajtjen e tij, ligji për dekriminalizimin përmban vetëm penalitetin e deklarimit ose jo të së vërtetës, por nuk përmban penalitetin në lidhje me atë çka ai në frymë dhe në përmbajtje bie në kundërshtim me Kushtetutën dhe nuk realizon asnjë objektiv për të cilën moralisht është ngritur”, u shpreh pak javë më parë Hazizaj për median.
Arsyetimi i tij bie pak ndesh edhe më atë hap që ka ndërmarrë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për heqjen e mandateve, papritur hapin e Gjykatës Kushtetuese. Logjikisht KQZ-ja gaboi pasi nuk mund të pranonte deputetët e rinj në Kuvendin e Shqipërisë pa u ankimuar vendimi nga deputetët për heqjen e mandatit të tyre dhe kjo bëhej vetëm pas arsyetimit të vendimit që do të merrte Gjykata Kushtetuese dhe më pas të bënte zëvendësimin e deputetëve, do shprehej ai. Gjithsesi, çfarëdo që thuhet, në këto orë do të pritet justifikimi i Gjykatës Kushtetuese për Ligjin në tërësi. (Javanews)