Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i’u përgjigj akuzave nga mazhoranca se po bllokon Vettingun. Nga çadra e protestës, ai deklaroi se Partia Demokratike kërkon reformimin e sistemit të drejtësisë, por nuk pranon një drejtësi të kapur nga “qeveria e bandave” siç tha ai. Basha deklaroi se kryeministri ka shpikur Vettingun, por në fakt sipas tij është pikërisht ai që nuk do drejtësi të pastruar nga të korruptuarit, duke shtuar se “Rama kriminalizoi parlamentin”.
“Jemi këtu deri sa republikën e vjetër ta përmbysim, ta varrosim. Deri sa të ngremë një Shqipëri të re, ku ligji godet me ashëprsi këdo që godet të drejtat e qytetarëve. Republika e bandave nuk e don agimin e republikës së re. teksa futemi në ditën e 11-të të kësaj proteste, dëgjoni çfarë kanë shpikur.
Kanë shpikur Vettingun. Vettingun e doka më shumë Edi Rama, Saimir Tahiri, Erion Veliaj më shumë se qytetarët. E donka njeriu që solli në Parlament, Armando Prengën, Mark Frrokun, Arben Ndokën, 3 kriminelë që u detyrua t’i lëshonte pas presionit por asnjë nuk lëshoi në zbatim të dekriminalizimit.
A ka njeri që beson se Edi Rama që kriminalizoi parlamentin, që çoi kryebashkiakë kriminelë, është i interesuar për gjyqtarë e prokurorë të ndershëm. A ka njeri që e beson që ministri i tij, që me mjetin e tij, banda famqëkeqe e Habilajve transportonte drogë. A ka njeri që beson që Erion Veliaj që çdo dy netë darkon me prokurorë për të mbyllur dosjen e Ardit Gjoklaj e dosje të tjera korruptive? Kush e do drejtësinë, e duan qytetarët e thjeshtë, e dua unë dhe PD. Lulzim Basha e votoi Vettingun më 22 Korrik, Vettingun e vërtetë. Vettingu votohet një ditë pas rrëzimit të republikës së vjetër”, deklaroi Basha.