Transporti i nxënësve të shkollave në zonat e thella është ngritur si shqetësim në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së.
Deputeti Pjerin Ndreu ka kërkuar ndryshime ligjore, pasi sipas tij, me kriteret që ka vendosur ligji, nuk ka furgona që i plotësojnë, e si pasojë fëmijët nuk kanë me cfarë të transportohen.
Këtij shqetësimi i është bashkuar dhe deputeti i Vlorës, Fatmir Toçi. Ministrja Ermonela Felaj ka thënë se tenderimin e bën bashkia, ndërsa Gramoz Ruçi i ka kërkuar ministres që të marrë masa.
Debati në grupin e PS
Pjerin Ndreu: Dua të ngre një shqetësim sa i takon transportit të nxënësve të shkollave. Tarifa e bonusit për transportin e tyre në ligj është e njëjtë si në zonat malore dhe në ato fushore. Ka disa kritere penguese që furgonat e transportit të tyre duhet të jenë të vitit 2015.
Fëmijët ngelin pa u transportuar, sidomos ata të zonave të thella, sepse janë aq shumë kritere sa operatorët nuk hyjnë fare dhe fëmijët ngelen pa transport. Në këtë situatë kërkoj ndërhyrjen urgjente në ligj.
Fatmir Toçi: Ky nuk është një problem i ligjit, por i VKM-së. Ligji përcakton që mësuesit dhe fëmijët që e kanë larg shkollën, duhet tu paguhet një bonos për transportin. Është Vendimi i Këshillit të Ministrave që përcakton detajet. Meqë u hap kjo çështje, problemi shkon përtej problematikës që u tha këtu.
Sigurisht që kriteret e sigurisë teknike janë të rëndësishme për shkak të sigurisë së fëmijëve. Kjo është e vërtetë, por në përditshmëri ka një problem më të madh se sa të arrijmë tek siguria. Për çdo fëmijë paguhet bonusi prej 60-70 lekë në ditë për transportin. Në fshatra ku ka rreth 20 nxënës, bëhet furgoni dhe niset me këtë pagesë.
Po në fshatra ku ka 2-7 fëmijë, me aq lekë nuk ka furgon që merr përsipër transportin. Nuk niset njeri me kostot e naftës dhe të ditës së punës me 200 lekë në ditë.
Këtu ka probleme se fëmijët nuk kanë me çfarë transportohen, e kur mundet i çon ndonjë prind. Këtë problem e kemi dhe në zonën e Lumit të Vlorës, në zona si Bolena, Vranishti, etj. Nxënësit nuk kanë me çfarë të ikin në shkollë.
Ermonela Felaj: Këtu është një problem sepse më parë e bënte tenderimin qeveria, tani e bën bashkia. Me ato kritere nuk shpallin interes subjektet e transportit. Pra, ne nuk kemi si rregullojmë marrjen pjesë në tenderim të atyre që nuk janë të interesuar.
Gramoz Ruçi: Këtu mos flit si deputete, por si pjesë e qeverisë. Mendoni dhe studioni një zgjidhje dhe na jep një përgjigje për javën që vjen duke marrë masa./Shqiptarja/a.m.