Shtetet e Bashkuara u bënë thirrje sot Rusisë, si dhe forcave separatiste që ajo mbështet në lindje të Ukrainës, të respektojnë menjëherë armëpushimin e ri të 20 shkurtit.
«Ne u bëjmë thirrje Rusisë dhe forcave separatiste që ajo mbështet të respektojnë menjëherë armëpushimin, të tërheqin të gjitha armët e rënda dhe të lejojnë hyrjen e plotë dhe pa pengesa të vëzhguesve të Organizatës për sigurinë dhe bashkëpunimin në Evropë, OSBE», deklaron zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Mark Toner, në një komunikatë për shtyp.
Gjashtëmbëdhjetë ushtarë ukrainas janë plagosur ditët e fundit gjatë përleshjeve të tjera në lindje të Ukrainës, ku rebelët prorusë kanë sekuestruar një dron të OSBE-së, njoftoi dje ushtria ukrainase.
«Shtetet e Bashkuara ndjekin nga afër përshkallëzimin e dhunës javët e fundit në lindje të Ukrainës dhe vazhdimin e mosrespektimit nga forcat separatiste proruse të marrëveshjeve të Minskut», thekson Departamenti amerikan i Shtetit në një dokument me ton mjaft të prerë./atsh