Ka kaluar një javë që kur opozita thirri qytetarët shqiptarë në protestë kundër qeverisë dhe me kauzën pë zgjedhje të lira. Demokratët vijojnë të qëndrojnë në çadrën e ngritur para Kryeministrisë. Nga çadra deputeti demokrat Aldo Bumçi ka bërë një thirrje që “të gjithë ata që mbajnë në këmbë këtë qeveri apo kanë ndikim duhet të veprojnë sa nuk është vonë”.
“Bëhet fjalë për paqe sociale. Dy rrugë ka: Ose do t’i nënshtrohemi rrugës e krimit dhe ne do të izolohemi e shqiptarët do të largohen me qindra mijëra, ose alternativa tjetër është një histori e re që fillon nga ky shesh. Peng të ardhmen e këtij vendi e mban Edi Rama. Kërkon që me overdozën e drogës, me kërcënimin e bandave të lidhura me Policinë të mbajë peng vendin. Ky njeri dhe të gjithë ata që kanë fuqi të ndikojnë duhet të kuptojnë se ne nuk do të pranojmë t’i nënshtrohemi”, tha Bumci për News 24.
Ndërkohë ai bëri sërish thirrje për rrëzimin e qeverisë nga faktorët e brendshëm. KJo është thirrja e radhës në drejtim të LSI nga opozita.
Z. Bumçi, a do të ketë protestë paqësore? Se pamë një deklaratë të fortë nga kryetari i PD, Basha.
Ne pamë më 18 shkurt një protestë shumë të madhe që nuk mund ta anashkalojmë si një protestë të radhës. Ajo është protesta më e madhe në historinë e këtij vendi. Nëse Edi Rama është i shurdhër, i verbër, nuk e sheh mesazhin e saj dhe ndaj sillet siç po vepron me dekriminalizimin duke u thënë shqiptarëve “unë nuk pyes për njeri”!
A do jetë paqësore, protesta e opozitës?
Ne kemi ditë që protestojmë këtu: a është paqësore apo jo?! Nëse do të vazhdojë kështu Rama në atë zyrë, ai është ilegjitim. Pas disa muajsh mandati i tij mbaron dhe me çfarë legjitimiteti do të qeverisë?!
Nëse ky kryeministër mendon se me kulaç e kërbaç do të nënshtrojë këtë popull, atëherë cili është reagimi? Ai është një kryeministër ilegjitim. Unë kam pyetje për të gjithë ju: a do të kemi një qeveri legjitime apo një qeveri droge dhe dhune?! Ne kemi një qeveri që është kthyer në Kolumbinë e Evropës. E thonë mediat e huaja, e tha dje edhe kreu i Antimafias italiane.
Kryeministri nuk pranon të distancohet. Nëse Edi Rama qëndron me dhunë, çfarë duhet të bëjmë ne?! Jo ne shqiptarët, por as perëndimorët nuk do ta pranojmë. A e dini pse nuk janë hapur negociata? Se i thanë Edi Ramës: pa zgjedhje të lira nuk do të keni integritet.
Opozita ka dy alternativa: ose të zhduket e të qëndrojë në shtëpi, ose të mbrojë liritë e mbrojtura në vitin ’90! Nuk ka alternativë tjetër!
/a.m.