Nga taksat “e mëdha”, asnjera nuk ka arritur të realizojë shifrat e planit, madje as tatimi mbi të ardhurat personale, që vitet e fundit ka qenë në “pararojë”. Kështu, në total mungojnë nga planifikimi 9.5 miliardë lekë, ose 70 milionë euro të ardhura. Por 405 miliardë lekët e realizuara në 12 muajt e vitit të kaluar janë shumë më lart se rezultati i 2015-ës, që shënoi 379.2 miliardë.
TVSH-ja ka një rritje gati 6 miliardë lekë nga vjet, por ka qenë 6.5 miliardë lekë më e ulët se niveli i planifikuar. Po kështu akciza, me mosrealizim në masën 2.8 miliardë lekë.
Taksat nacionale kanë sjellë në arkën e shtetit një shifër prej 35.8 miliardësh, më të lartë se ajo e një viti më parë (33.7 miliardë), por 1.4 miliardë lekë më poshtë se plani. Ndërsa të ardhurat jotatimore kanë qenë qenë më të ulta se plani, por edhe se rezultati i një viti më parë.
Si rezultat i reformës në kontributet dhe luftës kundër informalitetit, në fondin e sigurimeve shoqërore dhe atë shëndetësore janë mbledhur përkatësisht 6.5 dhe 1.2 miliardë lekë më shumë të ardhura se një vit më parë.
Ndërkohë, nga ana financiare duket se reforma administrative ka nisur të japë frytet e veta. Pushteti vendor ka shënuar 3.3 miliardë lekë më shumë të ardhura se në 2015 dhe 500 milionë lekë më shumë se planifikimi.
Zëri i shpenzimeve buxhetore është realizuar më ulët se plani dhe se viti 2015. Janë shpenzuar 19 miliardë lekë ose 140 milionë euro më pak se plani, më se 6 miliardë më pak se një vit më parë. Sërish ka patur “rrudhje” të investimeve, me vetëm 57 miliardë lekë, nga 58.7 miliardë të planifikuara dhe 63.1 miliardë të shpenzuara për këtë qëllim një vit më parë.
Si rezultat, është arritur që të kapet një deficit buxhetor sa gjysma e atij të vitit 2015 (26.1 kundrejt 58.2 miliardë lekë përkatësisht). Por kjo nuk ka bërë të mundur një rënie të ndjeshme të borxhit publik, i cili, sipas statistikave zyrtare, në fund të vitit 2016 ishte sa 71.01 për qind i Prodhimit të Brendshëm Bruto./Shqiptarja/a.m.