Ish-presidenti i Kroacisë, Stjepan Mesiç, ka vizituar Federatën e Futbollit të Kosovës, të premten në mesditë, ku është pritur nga kryetari Fadil Vokrri me bashkëpunëtorë.
Vokrri kishte përgatitur për Mesiçin fanellën e Kosovës me numrin 9, i cili pavarësisht që nuk ka qenë sportist, e as në poste sportive, e ka ndihmuar shumë Kosovën dhe me plot kënaqësi pranoi dhuratën nga Vokrri. Pas takimit që zgjati rreth 20 minuta, Mesiçi vlerësoi përparimet që janë bërë në futbollin kosovar, raporton KTV.
“Më vjen shumë mirë dhe kam kënaqësinë që sot jam në Federatën e Futbollit të Kosovës. Kryetari Vokrri më njoftoi me gjendjen e futbollit këtu. E di në çfarë gjendje keni qenë, por sot ka shumë përparime, keni filluar edhe ndërtimin e stadiumeve dhe po më vjen shumë mirë”, ka thënë Mesiç.
Ish-presidenti i fundit i ish-Jugosllavisë e kujtoi kohën kur ai ushtronte funksionin e të parit të shtetit, e në anën tjetër, Fadil Vokrri luante për Partizanin e Beogradit.
“Po më vjen shumë mirë që sot e takova Fadil Vokrrin, ku me të kemi qenë në atë kohë së bashku. Unë në një funksion e Fadili në funksion tjetër në Beograd, andaj po më vjen shumë mirë që edhe sot jemi bashkë në Kosovë”, është shprehur Mesiç.
Ai në fund tha se nuk ka mundur ta shikojë ndeshjen ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë, por i ka parë rastet dhe golat e atij takimi. Në anën tjetër, kryetari Vokrri e falënderoi Mesiqin për gjithë ndihmën që i ka dhënë Kosovës. Kjo ishte vizita e parë e Stjepan Mesiçit, që i bën Federatës së Futbollit të Kosovës. (b.an)