Gazjellësi Trans Adriatik (TAP) ka përfunduar gjatë muajit shkurt përmirësimin e segmentit rrugor që lidh rreth 3’000 banorë të fshatrave Seman i Ri, Baltëz dhe Hamil me qytetin e Fierit.
Latif Kazanxhiu, Kryeplaku i fshatit Baltëz, u shpreh se rindërtimi i këtij segmenti rrugor, i cili lidhin fshatrat me qytetin, dhe përmirësimi i rrugëve të brendshme është një ndihmë e madhe për ne si komunitet.
“Rruga na ndihmon që të jemi më afër me tregjet e qytetit ku shesim produktet tona, sidomos gjatë stinës së verës. Kjo është një rrugë që i shërben edhe rritjes së turizmit pasi lidh qytetin e Fierit me bregdetin e Adriatikut. Besoj se flas në emër të gjithë banorëve kur falenderoj TAP që na ka kryer një shërbim shumë të madh.” tha ai.
Pas përmirësimit të këtij segmenti rrugor prej 8 kilometrash, TAP ka ndërhyrë edhe në një sërë rrugësh të brendshme dhe rrugësh hyrëse. Gjithashtu janë pastruar dhe sistemuar kanalet përgjatë rrugës, sidomos në fshatrat Baltëz dhe Hamil.
Sistemimi i këtij segmenti rrugor është pjesë e investimeve të TAP në përmirësimin e përgjithshëm të infrastrukturës rrugore përgjatë gjithë korridorit të punimeve.
Gjatë fazës së parë, përgjatë gjithë gjurmës së gazsjellësit, janë rindërtuar dhe përmirësuar mbi 58 km rrugë, janë përmirësuar 40 ura ekzistuese dhe janë ndërtuar 2 ura të reja. Gjatë fazës së dytë të punimeve do të rindërtohen dhe përmirësohen rreth 120 km rrugë të tjera.
Përmirësimi i kushteve të jetesës dhe zhvillimi i komuniteteve përgjatë gjurmës së gazjellësit është dhe do të vazhdojë të jetë në fokusin e projektit TAP. Ndërtimi i marrëdhënieve afatgjata dhe bashkëpunimi me komunitetet është shumë i rëndësishëm për TAP pasi prania e këtij projekti në Shqipëri do të jetë për një kohë shumë të gjatë.
Gazsjellësi TAP është pjesa evropiane e korridorit jugor të gazit, që do të transportojë gazin natyror nga fusha gazmbajtëse e Shah Deniz II në Azerbaxhan, drejt Evropës.
Në territorin shqiptar rrjeti i gazësjellësit përshkon 250 km. /a.m.