Në verën e nxehtë të 30 korrikut të pesë viteve më parë, Tirana do të tronditej nga një ngjarje e rëndë.
Pikërisht në këtë datë që duhet të përbente ditën më të lumtur Hysen Biba do të ndërmerrte aktin më të rëndë të jetës së tij. Familja e tij po përjetonte një gëzim, pasi bashkëshortja kishte vetëm dy ditë që kishte sjellë në jetë djalin, fëmijën e dytë. Por, me një veprim, që më pas do të quhej i pakontrolluar nga ekspertët, Hysen Biba e shkëput djalin nga krahët e nënës dhe e hedh foshjnën porsalindur nga dritarja e spitalit. Sot, afro pesë vite nga ajo ditë, Biba duket se e ka lënë pas.
Ne e takuam Hysen Bibën në hollin e Gjykatës së Tiranës, në dhomën penale, i shoqëruar nga bashkëshortja dhe avokati mbrojtës, Gëzim Allaraj. Çdo person që i afrohet e sheh me dyshim. Teksa e pyesim, herë pas here, ai kthen kokën nga avokati, sikur kërkon të marrë prej tij miratimin e çdo përgjigje që duhet të kthej. Qëndron pa lëvizur. Pranon se ngjarja që shokoi opinionin, kur hodhi djalin e tij nga dritarja e maternitetit, ishte e rëndë.
Thotë se e ka kaluar atë situatë dhe së bashku me familjarët po përpiqet ti kthehet normalitetit. Pas lirimit nga dhomat e burgut, ku merrte mjekim të detyrueshëm, Hysen Biba është shtuar me një tjetër djalë. Tashmë ka dy fëmijë.
Jeton në të njëjtën banesë me gruan së cilës i rrëmbeu djalin nga krahët dhe e flaku jashtë. Fillimisht u mendua se Hysen Biba nuk e pranonte djalin e bashkëshortes së tij, duke dyshuar për një tradhti të mundshme. Por pas arrestimit gjërat u sqaruan dhe ekspertët e mjekësisë ligjore përcaktuan shkallën e sëmundjes së tij.
Tashmë ai është kthyer pranë familjes. Pranon se ndjek recetën e mjekut dhe merr ilaçet rregullisht. Në çdo lëvizje të tij nga pas është edhe bashkëshortja. Ai pohon me kokë gjithçka që thotë Hyseni dhe avokati i tij, Gëzim Allaraj. Ky i fundit herë pas herë ndërhyn për të plotësuar përgjigjet e klientit të tij.
INTERVISTA
Hysen rreth katër vite me parë ju kryet një veprim të rëndë. Si e kujtoni atë sot?
Po është e vërtetë, por ajo ngjarje tashmë ka kaluar. Ishte një moment. Nuk kam shumë dëshirë të flasë për të. Çfarë vendimi ka dhënë për ju gjykata? Fillimisht u vendos mjekimi i detyrueshëm dhe izolimi në një spital psikiatrik. Më pas unë iu nënshtrova disa analizave dhe gjykata urdhëroi mjekimin ambulator. Familja mori përsipër të kujdesej për mua.
Cila është jeta juaj sot?
Unë po mundohem të rehabilitohem. Jam duke marrë mjekimin rregullisht. Prindërit, bashkëshortja më qëndrojnë shumë pranë. Nëse unë mjekohem sipas rekomandimeve të mjekut, nuk do të kem probleme. Ndjej se po përmirësohem dhe kështu është, po të marrësh ilaçet çdo ditë. Unë jam rikthyer jetës normale. Kam familjen. Jam me bashkëshorten time dhe kemi dy fëmijë. (bashkëshortja qëndron e ulur pranë tij).
Pse jeni paraqitur sot në gjykatë?
Jam thirrur nga gjykata. Një herë në vit unë paraqitem para të njëjtit trupit gjykues që dhanë vendimin. Ndërkohë që ekspertët e mjekësisë ligjore paraqesin raportin. Kështu vendos gjykata se si do të vazhdoj mjekimi ndaj meje. Pra çdo vit bëhet një kontroll dhe përcaktohet edhe mjekimi. Disa pyetjeve iu përgjigjet avokati Gëzim Allaraj. Ndërkohë Hysen Biba qëndron pranë tij dhe gjatë gjithë kohës buzëqesh dhe pohon me kokë. Avokat ju keni ndjekur këtë çështje që në momentin e arrestimit e më pas gjatë shqyrtimit nga prokuroria e gjykata. Mendoni se klienti juaj e ka kapërcyer fazën kritike? Besoj se është në rrugë të mbarë. Nga viti 2012 deri në 17 qershor 2015, Hysen Biba qëndroi në kushte spitalore. Ai mori trajtim nga spitali psikiatrik. Gjatë kësaj kohe ka reaguar mirë ndaj mjekimeve. Madje është mbajtur afër edhe nga njerëzit e familjes. Në 2015 trupi gjykues i drejtuar nga Altin Abdiu pranoi kërkesën tonë dhe vendosi mjekim ambulator për Hysen Bibën, duke e nxjerrë nga kushtet spitalore. Një nga kushtet kryesore pse u pranua kërkesa ishte deklarata e bashkëshortes së tij, nënës së fëmijës që humbi jetën, e cila premtoi se do të kujdesej për të në çdo moment. Po kështu edhe prindërit. Nga ajo kohë Hysen Biba merr rregullisht mjekimin.
Ju thoni se mes bashkëshortëve nuk ka kontradikta, marrëdhëniet janë normalizuar?
Po kështu është. Që pas asaj ngjarje të rëndë, bashkëshortja e Hysen Bibës nuk u shkëput nga familja e tij. Ajo qëndroi me prindërit e Bibës në një banesë. Ndërsa pas ndryshimit të vendimit nga gjykata, marrëdhënia duket më e normalizuar. Ai ka dy fëmijë. Një në moshën 6-7 vjeç dhe një të sapolindur. Gjendja duket se po vjen drejt përmirësimit. Ndërkohë duhet të them se në momentin kur ka ndodhur ngjarja ai ka qenë tepër i rënduar. Ka shfaqur probleme mendore.
Avokat, pas ngjarjes u tha se Hysen Biba e vrau foshnjën, pasi nuk pranonte atësinë?
Po është e vërtetë, por Biba e kreu vrasjen e foshnjës për shkak të problemeve serioze që pati. Tani kur kanë kaluar disa vite, ai është në gjendje të mirë dhe kjo shihet edhe nga raportet e mjekësisë ligjore. Që nga viti 2015, ky institucion është shprehur se Hysen Biba mund të qëndroj në shtëpi dhe të ndiqet rregullisht nga mjeku psikiatër. Ai merr rregullisht mjekimin. Ecuria e sëmundjes së Bibës ndiqet nga i njëjti trup gjykues, kryesuar nga Altin Abdiu. Opinionin ngjarja e vitit 2012 ishte shokuese. Edhe vendimi i gjykatës për lirimin e Hysen Bibës pati jo pak ndikim.
Ju si avokat si e komentoni?
Është e vërtetë. Ngjarja ishte e rëndë. E vërteta e gjendjes shëndetësore të Hysen Bibës nuk u vërtetua as nga avokati dhe as nga trupi gjykues. Për disa vite me radhë për të u bënë disa akte ekspertimi. Dua të them se askush nga ne nuk ka ditur se çfarë konkluzionesh kishte nxjerrë ekspertiza dhe si do të ishte ecuria e mëtejshme. Hysen Biba ishte njeri me probleme mendore. Nëse do të ishte normal s’besoj se do të hidhte fëmijën e tij nga kati i katërt. E theksoj edhe një herë. Pas gjithë kësaj historie, marrëdhënie e tij me bashkëshorten u normalizua. Ai tashmë bënë jetë familjari./Shekulli/b.d