Shqipëria për të është një dashuri e bukur. Zuzana Finger është gjermane dhe ka ardhur për herë të parë në vendin tonë në vitin 1988. Emrin e Shqipërisë e kishte hasur në një pullë postare si dhuratë nga prindërit dhe qysh atëherë, diçka do të ndodhte mes saj dhe vendit ish-komunist të asaj kohe.
Fundi i viteve ‘80 nuk ishte fort miqësor më të huajt që vizitonin Tiranën dhe Zuzana e ndjeu këtë. Ajo nuk takonte asnjë njeri të rastësishëm dhe lëvizjet e saj ishin të kontrolluara.
Pas ’90-ës për të ishte më e thjeshtë. Ajo ka ardhur në shpesh në Shqipëri, madje në vitin 1996 ka patur rolin e vëzhgues zgjedhor në Tiranë dhe Himarë, një eksperiencë jo e këndshme kjo, e cila nuk i ka lënë kujtime pozitive.
Vitet e fundit Zuzana është marr me përkthime letrare, duke përkthyer letërsi shqipe në gjuhe gjermane. Ajo flet për gazetaren e Dita-s, Entela Resuli, si a ka njohur ajo Shqipërinë e ’80 dhe ç’marrëdhënie ka me Shqipërinë e sotme.
-Zonja Zuzana, ju konsideroheni si një gjermane e çuditshme në Tiranën e fund viteve ’80. Sa vjeç ishit në atë kohë?
1988 isha 29 vjeçe dhe isha duke ndjekur studimet e dyta, pas përfundimit të një fakulteti të parë. Ky udhëtim i parë drejt Shqipërisë ishte i organizuar nga shkolla, nuk erdha me iniciativën time. Në atë kohë një profesor i yni organizoi udhëtimin me studentë të Gjuhës e Historisë. Qëndruam një javë dhe në atë kohë nisa të praktikoj shqipen mjaft mirë, sado që më dukej gjuhë shumë e vështirë.
-Deri në ato momente, kishit dëgjuar më parë për Shqipërinë?
Natyrisht. Si fëmijë mora si dhuratë një pullë postare me emrin e vendit “Shqipëria”. Në momentin e parë as nuk e dija si shqiptohet kjo fjalë. Në studimin e dytë studiova Ballkanologjinë. Në Shqipëri erdha me një ekskursion studentësh dhe fola pak shqip.
-Në kontaktin e parë me këtë vend, çfarë të bëri përshtypje?
Tirana si qyteti shumë i bukur. Arkitektura historike e qyteteve të tjera të cilët kemi vizituar. Peizazhe madhështore.
-Pati një herë të dytë në Shqipëri brenda pak kohësh?
Një vit më vonë konkurrova për një bursë të Shërbimit Akademik Gjerman. Një bursë njëmujore për ndjekjen e kursit të shqipes në Tiranë. Qëndruam në të njëjtin hotel, te “Hotel Tirana” dhe shkonim në mësim në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja.
-Jeni shprehur në një intervistë që ju kanë qenë e vëzhguar në ato vite nga Sigurimi i Shtetit, si e keni kuptuar këtë gjë?
Gjatë qëndrimit të dytë nuk erdha me një grup, por ndoqa kursin e gjuhës shqipe dhe lëviza më individualisht nëpër rrugët e Tiranës. Sa herë që dilnim, unë dhe shoqja ime e vjetër kishim gjithnjë dy burra që na ndiqnin. Nuk afroheshin asnjëherë, nuk na bezdisnin apo të përpiqeshin të komunikonin, por ishin gjithmonë aty.
-Je ndjerë ndonjëherë e frikësuar këtu?
Jo. Deri në moshën 24 vjeçare jetova në socializëm dhe e njoha jetën në këtë sistem shoqëror.
-Po njerëzit, kur mësonin që ju ishit gjermane, si reagonin?
Kontakte të drejtpërdrejta ishin të rralla dhe njerëzit e thjeshtë ishin rezervuar ndaj të huajve.
-Nuk kishte nga ata kuriozët që mund t’ju pyesnin për botën jashtë?
Jo. Mendoj se biseda të tilla ishin të ndaluara dhe të rrezikshme. Por shpesh përjetova përzemërsinë e madhe që ata kishin. Herën e parë nuk pata asnjë kontakt pasi vërejta se shqiptarët shmangnin kontaktin me të huajt. Por herën e dytë, një vit më pas, një nga ditët e qëndrimit gjeta një parukeri. Shkova aty për të rregulluar flokët dhe nuk më kujtohet se sa gra mund të jenë mbledhur, vetëm për të parë!
-Çfarë të bënte përshtypje kur ecje në rrugët e Tiranës?
Më bënte përshtypje qetësia, pasi kishte pak makina dhe aspak trafik. Më binte në sy, se nëpër rruga kishte shumë burra të cilët dukeshin se vrasin kohën. Nuk kishte aq shumë lokale si sot ku mund të kalohet koha e lirë.
-Po për gratë?
Gratë i përjetova gjithmonë të zënë sepse me siguri kanë kryer përpos profesionit edhe shumë detyra të tjera në familje dhe në shtëpi.
-Pse vendosët të mësonit gjuhën shqipe?
Në fillim ishte shumë e vështirë, por nga ana tjetër edhe mjaft interesante. Në studimet e dyta studiova Ballkanologjinë dhe udhëheqësi i katedrës ishte gjuhëtari i shkëlqyer profesor Norbert Reiter. Te ai mësova shqip.
-Përveç dy herëve të para, ju keni ardhur edhe herë të tjera në Shqipëri. Pse?
Po, në Shqipëri isha në vitin 1996 si vëzhguese e zgjedhjeve. Unë kam punuar si bashkëpunëtore e jashtme me OSBE-në dhe kam ardhur këtu si vëzhguese zgjedhjesh më 1996-n. Trazirat erdhën më vonë. Kishte konflikte politike atëherë, kaos, zemërim e mllef. Unë isha vendosur në Himarë dhe atje ishte edhe më e vështirë. Të ndodhte që të gjeje njerëz të armatosur nëpër lokale, të shihje abuzimet që bënin me votat. Njerëz që votonin disa herë… Më pas në vitin 2000 erdha në Kosovë si zëvendëse e lektorit gjerman në universitet për testime në gjuhën gjermane dhe edhe një herë 2006 po ashtu nga Kosova për vizitë dhe takim me shkrimtarë.
-Zgjedhjet e vitit 1996 kanë qenë ndër më të vështirat për Shqipërinë…
Po, unë isha caktuar në në Tiranë dhe pastaj ne Himarë. Me kujtohet që në atë kohë situata ishte shumë e tensionuar. Në rrugët kryesore të vendit kishte bllokada, në afërsi të qendrave votimi kam parë njerëz të armatosur, ka pasur kërcënime.
-Cila ka qenë situata më e sikletshme që keni përjetuar në ato zgjedhje?
Bllokada e selisë të Partisë Socialiste dhe disa arrestime që janë bërë përpara syve të mia.
-Sipas jush a u vodhën zgjedhjet në atë kohë?
Kam parë shumë parregullsi të cilat nuk ishin pa ndikim mbi rezultatin e zgjedhjeve.
-E keni parë Shqipërinë në disa situata. Përpara ‘90, pas ‘90 dhe tani. Çfarë ka ndryshuar gjatë këtyre kohëve?
Shqipëria u modernizua në një përmasë dhe shpejtësi të qenësishëm. Njerëzit u ballafaquan me zhvillim të vrullshëm dhe me ndryshime shoqërore rrënjësore.
-Po tani e ndjek aktualitetin në Shqipëri, si ju duket?
Probleme, të cilët shfaqen në Shqipëri ka edhe në vende të tjera, vetëm se në Shqipëri duken më intensiv, bien më shumë në sy. Di që shumë njerëz janë të pakënaqur dhe të zhgënjyer pasi kanë probleme ekonomike.
-Ka diçka që të bën përshtypje?
Më bën përshtypje sa shumë njerëz të aftë dhe kreativ punojnë me gjithë vështirësitë shoqërore dhe politike. Ata janë për t’u nderuar.
-E keni vënë re që shumë shqiptarë duan të largohen drejt Gjermanisë?
E kuptoj këtë dëshirë të njerëzve për tu larguar, në kërkim të një jete më të mirë, pasi ata kanë përshtypjen se në vendin e tyre nuk ka prespektiv. Ndaj është normale që të provojnë për t’i realizuar planet që kanë në një vend tjetër.
Në shoqëritë ekonomikisht të forta gjithmonë ka rryma të ndryshme të mendimit. Një pjesë e shoqërisë ka frikë se të huajt janë rrezik për stabilitet, një pjesë tjetër e di se zhvillimi ekonomik përfiton nga njerëz të aftë nga jashtë. Dhe natyrisht duhet t’u vish në ndihmë njerëzve në vështirësi.
-A është normale kjo dëshirë për largim?
Po, normale është, kufijtë nuk janë normal, sepse janë vetëm një dukuri historike.
-Zonja Zuzana, cila është familja juaj aktualisht, dhe ku jetoni?
Aktualisht jetoj me burrin tim afër Mynihut dhe fëmijët e mi jetojnë në Berlin.
-Ju jeni lidhur me Shqipërinë edhe nëpërmjet letërsisë. Na tregoni pak për punët tuaja në këtë drejtim?
Që prej dhjetë vitesh merrem me përkthime letrare, fatkeqësisht vetëm në kohën e lirë të paktën jashtë profesionit tim ashtu që përqendrohem në lirikë. Përkthej edhe autorë nga Kosova dhe më bën përshtypje shumëllojshmëria e personaliteteve të mëdhenj në letërsinë shqipe.
-E keni menduar ndonjëherë të jetoni në Shqipëri?
Kam menduar të punoj në Shqipëri në fillim të viteve 2000, aplikova për një vend pune, fatkeqësisht pa sukses.
-Si i përkufizoni shqiptarët, çfarë populli janë?
Kam miq në Shqipëri, dhe ata janë njerëz të kujdesshëm dhe bujar.
/b.d