Kushtëzimi i votës për ngritjen e organeve të Vetingut nga Partia Demokratike, me krijimin e një qeverie teknike dhe ndryshimin e 7 ligjeve prioritare, rrezikon të djegë afatet e parashikuara në ligj. Nëse Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit do të konsumojë afatin 14-ditor për vlerësimin e kandidatëve për organet e Vetingut, Kuvendi i Shqipërisë ka afat deri në datën 6 mars për të ngritur komisionin ad hoc për verifikimit të kandidatëve.
Avokati i Popullit, në datën 17 shkurt, ka vënë në dispozicion të ONM listën e kandidatëve që plotësojë dhe nuk plotësojnë kriteret formale për anëtarë të organeve të Vetingut. Sipas ligjit, një komision i përbërë nga të paktën tre përfaqësues të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit vlerëson kandidatët.
Jo më vonë se 14 ditë nga paraqitja e dy listave nga Presidenti i Republikës, ky komision, bazuar në vlerësimet e arsyetuara, lidhur me kualifikimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve, i dërgon rekomandimet Presidentit, i cili ia përcjell ato Kuvendit. Pra, deri në datën 3 mars, ONM duhet të vlerësojë kandidatët dhe t’ia përcjellë listën Presidentit, në rastin konkret Avokatit të Popullit, pasi kreu i shtetit ka refuzuar ta ushtrojë këtë kompetencë. Avokati i Popullit e referon listën në Kuvend.
Ndërkaq, Kuvendi, brenda 3 ditëve nga marrja e listës së kandidatëve, miraton krijimin dhe përbërjen e një komisioni ad hoc me gjashtë anëtarë, të ndarë në mënyrë të barabartë midis shumicës dhe pakicës parlamentare. Kryetari i Kuvendit, brenda ditës së dorëzimit të listave të parashikuara, njofton datën dhe orën e mbledhjes së seancës plenare për krijimin dhe përbërjen e komisionit ad hoc të verifikimit të kandidatëve.
Pika 5 e nenit 8 të ligjit të Vetingut, parashikon që brenda dhjetë ditëve nga krijimi i tij, komisioni ad hoc i përcjell listën komisioneve të tjera ad hoc përzgjedhëse. Ndërkaq, në nenin 9 pika 1, parashikohet që Kuvendi, brenda 10 ditëve nga marrja e listës së kandidatëve, të cilët i plotësojnë kriteret formale, listës së kandidatëve, të cilët nuk i plotësojnë kriteret formale, dhe listës së rekomandimeve të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, miraton krijimin dhe përbërjen e dy komisioneve ad hoc të përzgjedhjes, të cilët përbëhen respektivisht nga: Komisioni i parë nga 12 anëtarë, gjashtë të propozuar nga grupet parlamentare të shumicës dhe gjashtë nga grupet parlamentare të pakicës. Komisioni i dytë nga 6 anëtarë, tre të propozuar nga grupet parlamentare të shumicës dhe tre nga grupet parlamentare të pakicës.
Në kushtet e djegies së afatit, faktori ndërkombëtarë, më shumë se sa për protestën, është i shqetësuar për bojkotin e opozitës, bojkot të cilin e ka kundërshtuar njëzëri. Megjithatë, nisur nga zhvillimet dy ditëve të fundit, afatet e parashikuara në ligjin e Vetingut pritet të tejkalohen. Madje, nëse nuk do të ketë një ndërhyrje të fortë dhe të gërshetuar mes BE dhe SHBA, për të detyruar opozitën të votojë në Parlament, procesi mund të shtyhet pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. shqiptarja.com
ma.me