Një koalicion mes LSDM së Zoran Zaev dhe BDI-së së Ali Ahmetit është pothuajse gati, negociatat që vazhdojnë prej disa ditësh, ku BDI ka vendosur si kusht kryesor zyrtarizimin e gjuhës shqipe në çdo nivel dhe LSDM duket shumë e disponuar për ta plotësuar këtë kërkesë. Bashkimi Demokratik për Integrim ka mbledhur mbrëmë kryesinë e ngushtë për të diskutuar lidhur me mbështetjen apo jo të një koalicioni qeveritar me LSDM-në.
“Jemi duke shqyrtuar materialet e grupeve punuese. Nuk presim vendim sonte. Jemi duke shqyrtuar çdo mundësi”, tha Osmani. Në takimin e së mërkurës në mbrëmje ishin të pranishëm lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, nënkryetarët Teuta Arifi, Nevzat Bejta dhe Izet Mexhiti, si dhe anëtarë të tjerë të Kryesisë Qendrore të BDI-së. Sipas BDI-së, kjo mbledhje do të ishte maratonike.
Më parë zëdhënësi i BDI-së, Osmani, në lidhje me një marrëveshje të mundshme të BDI-së nëse hyn në koalicion me LSDM-në për formimin e qeverisë së ardhshme, tha se kjo ka kushtet e veta.
Osmani ka deklaruar se bisedimet e BDI-së me LSDMnë kanë pasur si qëllim krijimin e ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe, duke vlerësuar se BDIja në bashkëpunim me partitë e tjera politike shqiptare ka formuar një draft për ligjin. Ai ka theksuar se kjo është një zgjidhje optimale brenda kornizave të Kushtetutës.
Nëse merren vesh me LSDM-në për gjuhën shqipe, Osmani tha se më parë do votohet për gjuhën dhe më pas për qeverinë. Ndërkohë ish-kryeministri Nikolla Gruevski i VMRO-DPMNE, i cili dështoi të arrijë një koalicion me BDI-në e Ahmetit, partnere e përhershme deri tani e qeverive të tij, ka ngritur akuza se “LSDM dhe BDI dëshirojnë të bëjnë defaktorizim të popullit maqedonas”.
Sipas tij, “Ajo që ndodh tani tregon se LSDM është e vendosur që ta ripërkufizojë Maqedoninë, por duhet të theksojë se VMRODMPNE do të qëndrojë fuqishëm si mbrojtëse e interesave shtetërore dhe kombëtare”, tha kryetari i VMRODPMNE- së, Nikolla Gruevski.
Ai shtoi i irrituar për mundësinë e formimit të qeverisë së re se, “U tregojmë të gjithëve atyre që dëshirojnë të luajnë me interesat kombëtare dhe shtetërore, se në këtë shtet ka të tjerë që mendojnë për ato interesa dhe që janë të gatshëm të luftojnë për interesat kombëtare dhe shtetërore”. Gruevski gjithashtu deklaroi se çdo gjë që po ndodh tani, është paralajmëruar se do të ndodhë.
ma.me