Pas misionit të OSBE, edhe Bashkimi Evropian, përmes delegacionit në Tiranë, ka hedhur poshtë kërkesën e Partisë Demokratike për aplikimin e numërimit dhe të votimit elektronik në zgjedhjet parlamentare të 18 Qershorit. Shqiptarja.com ka mësuar se argumentet e ekspertëve të delegacionit të BE në Tiranë, për pamundësinë e aplikimit të teknologjisë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, kanë qenë të njëjta me ato të OSBE/ODIHR.
Në datën 12 Janar, partitë e vogla opozitare, zhvilluan një takim me ambasadoren e Bashkimit Europian, Romana Vlahutin, të cilës i kërkuan mbështetje për kërkesën dhe kushtin kryesor të opozitës, për aplikimin e votimit dhe të numërimit elektronik në zgjedhjet e ardhshme. Nga ana e saj, ambasadorja e BE, Romana Vlahutin, i ka garantuar aleatët e Partisë Demokratike, se do të ngrinte një grup me ekspertë të BE, për të vlerësuar mundësitë dhe kushtet e realizimit apo jo të kërkesës së tyre. Në takimin e 12 Janarit ishte rënë dakord që raporti i ekspertëve të prezantohej në një tjetër takim.
Burime pranë grupit të aleatëve të PD, kanë bërë me dije se gati një muaj pas takimit, ata kanë marrë sinjalet e para, jo në rrugë zyrtare se, grupi i ekspertëve kishte arritur në një konkluzion paraprak, duke konstatuar pamundësinë e aplikimit të teknologjisë edhe në këtë zgjedhje, për shkak të kohës së pamjaftueshme dhe kushteve të tjera teknike. Edhe pse takimi i planifikuar, ku do të prezantohej konkluzioni i ekspertëve, nuk u realizuar, opozita ka ndryshuar menjëherë kauzën. Herën e fundit kur kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka folur për numërim dhe votim elektronik, ka qenë data 8 Shkurt.
Basha ndryshoi kushtin
Pozicionimi i ndërkombëtarëve kundër kushtit për votimin dhe numërimin elektronik është reflektuar në fjalimin e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në protestën e 18 Shkurtit. Nëse për disa muaj me radhë, opozita i përqendroi të gjitha energjitë e saj politike tek kushti i votimit dhe i numërimit elektronik, befas, me 18 Shkurt, Lulzim Basha nuk e përmendi më ‘teknologjinë në zgjedhje’, por kërkoi qeveri teknike, e cila sipas tij do të garantonte zgjedhje të lira dhe ndershme.
Siç duket edhe nga lëvizja në minutat e fundit, kushti për qeveri teknike ka qenë spontan, me qëllim sajimin e një kauze për të ngritur çadrën para Kryeministrisë. Ndërkaq, ndryshimi i kushtit është reflektuar menjëherë edhe në retorikën politike të përfaqësuesve të tjerë të Partisë Demokratike. Asnjë deputet dhe ekspertë për çështjet zgjedhore të opozitës, nuk e lakon më kërkesën për numërim dhe votim elektronik në zgjedhjet e 18 Qershorit.
Qëndrimi i OSBE
Ambasadori i OSBE në Tiranë, Bernd Borchardt, ka deklaruar disa ditë më parë se vende si Holanda po rikthejnë votimin manual. “Vërtet besoni se e vetmja mënyrë për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme është futja e votimit dhe numërimit elektronik teknikisht të brishtë? Lexova në lajmet ndërkombëtare se Holanda po i kthehet numërimit të votave me dorë për të ruajtur besimin te zgjedhjet. Unë mund t’ju them se kemi nxitur, kemi inkurajuar, kemi bërë thirrje për reforma dhe jemi përpjekur që ato të bëhen realitet, që kur dolën në dritë rekomandimet e fundit të OSBE/ODIHR-it, në vitin 2013 dhe në vitin 2015”, ka deklaruar ai.
Basha në 18 Shkurt
“Vendimin për të dekriminalizuar shtetin, vendimin për të zhdukur ekonominë e drogës, vendimin për t’u kthyer njerëzve fuqinë ekonomike, vendimin për t’iu kthyer njerëzve pushtetin. Ne do të qëndrojmë këtu në këtë shesh derisa të sigurojmë njëherë e mirë zgjedhje të lira e të ndershme. Ne do të qëndrojmë në këtë shesh, dhe nuk do të lejojmë zgjedhje fasadë me këtë qeveri të kapur nga droga dhe krimi. Unë do të qëndroj këtu në shesh.
Ju ftoj të gjithëve të qëndrojmë së bashku! Të qëndrojmë së bashku për të realizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, të cilat vijnë vetëm përmes shporrjes së qeverisë së krimit dhe një qeverie teknike të zgjedhjeve të lira. Ky është vendimi im. A është ky vendimi i të gjithëve këtu sot? Miqtë e mi, Fitorja është në zemrën e gjithsecilit prej jush! Kjo do të jetë fitorja më e bukur sepse do të jetë fitorja juaj! Ne ngrihemi bashkë”.
Basha në 8 Shkurt
“Prandaj mban Elvis Rroshin kryetar bashkie. Prandaj mban Saimir Tahirin ministër të Brendshëm, njeriun që e kanë treguar me gisht të gjithë partnerët tanë, si një kokat e krimit të organizuar, si njeriu përgjegjës për shndërrimin e Shqipërisë në një hambar droge. Sepse këta i duhen për të vjedhur zgjedhjet e ardhshme.
Prandaj nuk pranon votimin elektronik dhe numërimin elektronik, sepse e di që me zgjedhje të lira dhe të ndershme, pa krim, me votë të lirë qytetare, kjo qeveri është e rënë, është e larguar dhe rruga hapet për një qeveri të qytetarëve, për një qeveri të Shqipërisë.
Kjo lëvizje qytetare nuk do të ndalojë derisa të sigurojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, ose përmes paketës që kemi propozuar ne, përfshirë votimin elektronik, ose përmes marrjes në dorë të fateve të vendit nga vetë qytetaret. Qeverisja do t’i kthehet qytetarëve, demokracia do t’i kthehet qetarëve, Shqipëria do t’i kthehet shqiptarëve”.