Nga Arbi Kasapi
Me të hyrë në ditën e katërt të protestës së PD-së, formati i saj ka pësuar një metamorfozë thuajse të plotë. Nga një lëvizje për demokracinë dhe zgjedhjet e lira, në lutjet e dëshpëruara drejtuar ballkonit të Ilir Metës, tek përplasja e hapur me Brukselin.
E nisur me 18 shkurt, protesta e PD-së pati numrat e mjaftueshëm dhe qëllimin e “sinqertë” se po dyndej në shesh për zgjedhjet e lira, por nuk vonoi shumë dhe thuajse të gjithë figurat e opozitës, duke nisur fillimisht me aleatët, nisën të çojnë sinjale të qarta sipër kokave të tyre, në zyrën e Ilir Metës në kryesinë e kuvendit. Lëvizja taktike e PD u materializua, siç ndodh rëndon nga fjalët e ish liderit të saj Berisha, kur ky i fundit, ulur këmbëkryq me qytetarët në bulevard, i bëri apel LSI-së, që të bëhej shkaku i rrëzimit të qeverisë, duke u larguar nga koalicioni me Ramën.
Një lëvizje e tillë taktike nga ana e opozitës kishte për qëllim që të përdorte inercinë e protestës si fitil ndezës për pasiguritë e Ilir Metës, në lidhje me vijimësinë e koalicionit me Ramën. Por një gjë e tillë, të paktën zyrtarisht nuk ka ndodhur. Nëse e krahason me një lojë shahu, lëvizjet e PD-së e kanë lënë të hapur pozitën e tyre politike në vend, e kësisoj vulnerabël.
Por në politikë nuk luajnë vetëm dy persona, dhe pikërisht ditën e djeshme zëdhënësja e Komisionit Europian është shprehur se vendi i opozitës është parlamenti, një fjali kjo e përsëritur aq herë sa dhe është shkelur në këto vite nga opozita. Në kundërpërgjigje, kryedemokrati ka bërë një tjetër lëvizje, duke etiketuar ekzistencën e “dy Brukselëve”, njërit që është pro luftës kundër krimit dhe kanabisit, dhe tjetrit që i injoron këto fenomene.
Por sikur të mos mjaftonte, Basha ka shtuar se opozita mbështetet nga Partitë Popullore Europiane, duke mos ditur se disa orë më vonë, vetë një pjesëtar i këtij grupimi, Eduard Kukan, do të përsëriste të njëjtin mesazh. Shkoni në parlament, ka punë për të bërë.
Vijës së Brukselit i ka qëndruar edhe europarlamentari Fleckenstein i cili ka ardhur në Tiranë dhe në mënyrë demonstrative, ka kërkuar takimin me Bashën në zyrën e tij dhe jo në çadrën e protestës.
Thënë me fjalë të tjera, protesta nisi si një tentativë për të goditur nga brenda koalicionin qeverisës, por momentalisht ndodhet në një kurs përplasje me Brukselin. Lëvizjet e PD-së duke shfrytëzuar argumentin se është populli ai që nxjerr partinë e tyre në rrugë, janë për Brukselin një makth i vërtetë. Pavarësisht pozicioneve të BE-së, ajo që nuk ka ndryshuar kurrë dhe nuk do të ndryshojë, është pikërisht bindja se konfliktet politike zgjidhen vetëm përmes veprimeve institucionale. Europarlamentari Knut Fleckenstein ka ardhur në Tiranë jo për të negociuar një marrëveshje mes palëve, por për të vëzhguar pikërisht ecurinë normale politike, sidomos në kushtet kur Vettingu është në axhendën parlamentare të kësaj jave. Por mesa duket, eurodeputeti do të rikthehet për të raportuar edhe njëherë se makthi i Brukselit do të vijojë./JAVA