Presidenti francez, François Hollande i kërkoi sot Britanisë së Madhe të marrë përsipër përgjegjësitë për pritjen e migrantëve minorenë të izoluar aktualisht në Francë, por që i kanë familjet përtej La Manshit.
“Franca është bërë pjesë e përpjekjes evropiane. Ajo pret gjithashtu që partnerët të bëjnë të njëjtën gjë, kryesisht kur bëhet fjalë për minorenë të izoluar”, konfirmoi presidenti në një konferencë të organizuar në Paris mbi fatin e 250 milionë fëmijëve që jetojnë në zonat e konfliktit.
“I kërkoj Britanisë së Madhe të marrë përgjegjësitë duke reaguar për adoleshentët që jetojnë sot në Francë dhe i kanë familjet e tyre përtej La Manshit”, shtoi ai duke përmendur një pakënaqësi të madhe mes Francës dhe Britanisë së Madhe për pritjen e minorenëve.
“Ne kemi bërë përpjekje për t’i strehuar, për t’i pritur. Ata kërkojnë të shkojnë në Britaninë e Madhe. Ne kemi marrëveshje me këtë vend mik dhe fqinj dhe ato duhen respektuar plotësisht”, theksoi presidenti francez.
“Gjatë një vizite në Londër javën e kaluar, kryeministri francez, Bernard Cazeneuve kërkoi rishqyrtimin e dosjeve të minorenëve që kundërshtojnë refuzimin e pritjes së tyre në Britaninë e Madhe nga autoritetet britanike”, sipas një burimi francez.
Qeveria britanike është kritikuar ashpër nga mbështetësit e refugjatëve pasi njoftoi në fillim të shkurtit se do të priste vetëm 350 nga këto minorenë, një shifër shumë e ulët nga 3 000 fëmijët e përmendur në momentin e fillimit të zbatimit të programit./b.d