Sot është 26 vjetori i rënies së bustit të Enver Hoxhës dhe në ditën e tretë të protestës, Lulzim Basha ka bërë edhe njëherë thirrje për qeveri teknike dhe zgjedhje të lira, me largimin e kryeministrit Rama. Vendimi sipas kryedemokratit është marrë tashmë nga qytetarët dhe ai vetë nuk do të tërhiqet derisa objektivi i popullit të arrihet.
“Tani që ky vendim është shpallur, ky vendim është marrë, ne i themi sot se zgjedhje të lira të ndershme ka dhe do të ketë vetëm me një qeveri teknike, pa edi ramën kryeministër, pa këta ministra. Nga kjo nuk ka kthim. Kur po vija këtu dy zonja më kapën dhe më pyetën: a do ketë kthim mbrapa? Unë i premtova atë që unë kam në dorë. Unë nuk kthehem nga kjo rrugë pa fitoren që iu kam premtuar ju: zgjedhje të lira dhe të ndershme, qeveri teknike. Unë iu bindem juve, jam në shërbimin tuaj”-tha Basha.
Basha ka komentuar edhe mundësinë e një rruge alternative, atë të largimit të Ministrit të Brendshëm Tahiri, për të qetësuar situatën politike (një mendim ky i Henri Çilit, që Basha e cilëson si ofertë të vetë qeverisë).
“PD ka marrë një vendim dje në përputhje me zërin tuaj. PD dhe grupi i saj do të zhvillojnë deri në arritjen e objektivave tona për qeveri teknike, aktivitetin parlamentar në sheshin e Lirisë këtu me ju dhe qytetarët shqiptarë. Ta harrojnë se mund të përdorin të njëjtat truke si paraardhësit e tyre. Sot kanë ofruar përmes mediave të kontrolluara nga kryeministri kokën e Sajmir Tahirit. Ajo është një kokë peshqesh i bandave dhe krimit të organizuar. Ne nuk jemi këtu të pranojmë koka turku dhe pastaj të ulim kokat tona dhe të pranojmë zgjedhje të vjedhura. Mbaje Sajmir Tahirin për vete, zgjidhja është largimi i qeverisë tënde”.