Ushtria amerikane nuk është në Irak për të rrëmbyer naftë. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis, e bëri këtë koment para një vizite të paparalajmëruar në Bagdad të hënën, duke u distancuar kështu nga komentet e presidentit Donald Trump.
Mattis, i cili u nis nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe viziton Irakun për të parën herë në cilësinë e shefit të Pentagonit, shpreson të marrë një vlerësim të parë të situatës atje, ndërsa forcat irakiane të mbështetura nga SHBA kanë nisur një ofensivë të re për të dëbuar militantët e Shtetit Islamik nga bastioni i fundit që u ka mbetur në qytetin e Mosulit.
Sidoqoftë, ai ka gjasa të përballet me shumë pyetje të sikletshme në lidhje me komentet dhe veprimet e Trump, përfshirë edhe një ndalim të përkohëshëm të udhëtimit të irakianëve në SHBA dhe se tha që Amerika duhej të kishte marrë naftën e Irakut pas rrëzimit të Sadam Hyseinit në vitin 2003.
Në një fjalim në janar, Trump i tha CIA-s: “Ne duhet të kishim mbajtur naftën. Por, ok, ndoshta do të kemi një shans tjetër”. I pyetur nëse një kërcënim për të marrë naftën e Irakut ishte në axhendën e vizitës së tij, Mattis e hodhi poshtë kategorikisht një mundësi të tillë.
“Unë mendoj se të gjithë ne që jemi këtu, të gjithë në Amerikë, zakonisht paguajnë për gazin dhe naftën dhe jam i sigurt së kështu do të jetë edhe në të ardhmen. Ne nuk jemi në Irak për të marrë naftën e askujt”, i tha Mattis grupit të gazetarëve që udhëtonin me të.
Komentet e Mattis janë vetëm shembulli i fundit i dallimeve të tij politike me Trump. Ky i fundit ka pranuar se Mattis nuk është dakord me të për një seri çështjesh si torturat apo taktikat e ashpra të marrjes në pyetje, por në një shenjë të ndikimit të Mattis, ai tha se do t’ia linte këtë çështje në dorë Sekretarit të tij të Mbrojtjes.tch/a.k