Në datën 30 prill, përfundon afati që individët me të ardhura vjetore 2 milionë lekë t’i deklarojnë ato në Tatime, teksa gjithnjë e më shumë interesi për raportim po rritet.
Që kur ligji hyri në fuqi, deklarimet janë shtuar me nga 11% në vit, duke e çuar numrin e raportimeve në 6341 gjatë 2016-s. Këta persona përbëjnë vetëm 0.6% të forcës së punës. Por tani kur deklarimet kanë shënuar me mijëra, nuk ka masa ligjore të tjera nga qeveria për politika të mëtejshme rimbursimi, duke e bërë procesin thjesht formal. Në vende të tjera më të zhvilluara, individët deklarojnë për qëllime rimbursimi dhe qeveritë, duke analizuar këto deklarata, hartojnë politika sociale. Tatimet sqarojnë procedurat se si plotësohet deklarata për të informuar në këtë mënyrë edhe personat që deklarojnë rishtas.
Si bëhet vetëdeklarimi
Ekspertët në tatime sqarojnë se, individët rezidentë në Republikën e Shqipërisë, që realizojnë të ardhura të tatueshme, shuma e përgjithshme e të cilave është mbi 2 000 000 lekë, janë të detyruar të dorëzojnë Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave. Në shumën e përgjithshme të të ardhurave të paraqitura në deklaratë, përfshihen të ardhurat e realizuara në territorin e Shqipërisë si dhe ato të përftuara jashtë saj. Gjithashtu, edhe personat jorezidentë (të huaj), për të ardhurat e tatueshme të krijuara me burim në Shqipëri, kur shuma e përgjithshme e tyre, është mbi 2 000 000 lekë, janë të detyruar të deklarojnë këto të ardhura, duke dorëzuar Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave për individët e huaj. Të njëjtët ekspertë kanë bërë me dije se nuk është më në përdorim një format print i deklaratës së të ardhurave. Deklarata dorëzohet vetëm në rrugë elektronike, adresuar administratës tatimore qendrore, jo më vonë se data 30 prill e vitit që pason periudhën tatimore, për të cilën bëhet deklarimi. Pra brenda datës 30 prill të vitit 2017, duhen deklaruar të ardhurat e realizuara gjatë vitit 2016.
Procedurat
Procedurat janë të thjeshta. Sistemi elektronik i tatimeve efiling.tatime.gov.al i mundëson çdo individi tatimpagues, të regjistrohet dhe të bëjë dorëzimin në rrugë elektronike të deklaratës, pa qenë nevoja të paraqitet te sportelet e Drejtorive Rajonale Tatimore. Së pari, individi deklarues regjistrohet duke përdorur numrin e identifikimit personal ID, që gjendet në letërnjoftim si për individët rezidentë, ashtu edhe për individët jorezidentë. E njëjta ID dhe fjalëkalim do të jenë të vlefshëm edhe për deklarimet e viteve të ardhshme për individin. Menjëherë pas kësaj, në hapësirën Deklarata, Tatimi mbi të Ardhurat Personale, individi klikon Krijo Deklaratë për vitin për të cilin do të kryejë deklarimin. Pasi është krijuar deklarata hapet formulari elektronik, i cili është i shoqëruar edhe me udhëzimet përkatëse për plotësimin korrekt të tij. Ky është një proces deklarativ dhe pa pasoja financiare për individin deklarues në qoftë se, për çdo kategori të të ardhurave të përftuara, ai e ka paguar tatimin respektiv, në momentin që ka përftuar të ardhurat. Në rast të kundërt, pra kur nuk është mbajtur apo paguar tatimi në momentin e përftimit të të ardhurave, sistemi elektronik gjeneron urdhërpagesën, dokument i vlefshëm, për të bërë pagesën e tatimit. Administrata tatimore ka të drejtën e verifikimit të të dhënave deklaruar nga individi tatimpagues ndaj, individët deklarues duhet të tregohen të kujdesshëm, në ruajtjen e dokumentacionit, çdo pjese justifikuese të të ardhurave dhe shpenzimeve, për një periudhë 5- vjeçare.
Të ardhurat e tatueshme
-pagat, shtesat mbi to e shpërblimet lidhur me marrëdhëniet e punësimit -të ardhurat nga dividenti për pjesëmarrje në shoqëri tregtare apo nga veprimtaritë e biznesit -të ardhurat nga qiraja; -të ardhurat nga interesat bankare; -fitimet nga lotaritë apo lojërave të fatit; -të ardhurat bruto nga pasuria intelektuale, licencat, të drejtat ekskluzive; -të ardhura që lindin nga përdorimi apo e drejta për të përdorur të drejtat e autorit në letërsi, art, muzikë apo shkencë -fitimi kapital nga dhurimi -të ardhura të realizuara jashtë territorit shqiptar
Dokumentet
Ndër dokumentet justifikuese për çdo kategori të të ardhurave, sipas rendit të të ardhurave mund të përmendim: -vërtetimin e punëdhënësit lidhur me pagën, si dhe tatimin e mbajtur mbi të -kopje të vendimit të asamblesë së shoqërisë tregtare për miratimin e rezultatit financiar dhe destinimin e fitimit -kopje të kontratës së qirasë -dokumentin bankar që vërteton të ardhurat nga interesat -vërtetim të organizatorit të lojërave të fatit apo lotarisë, për shumën e fituar -kopje të licencave/lejeve etj., lidhur me të ardhurat nga të drejtat -kopje të kontratës së dhurimit, si dhe çdo dokument vërtetues për justifikimin e origjinës së të ardhurave me burim jashtë vendit. -Çdo dokument justifikues, krahas vërtetimit të të ardhurave, tregon edhe tatimin e mbajtur për secilën kategori të të ardhurave. Për sa i takon shkallës tatimore, përveç tatimit mbi pagat, të cilat i nënshtrohen një shkalle progresive të taksimit, të gjitha llojet e tjera të të ardhurave, taksohen me shkallën prej 15%.
Shpenzimet e zbritshme
Lidhur me shpenzimet, ligjërisht njihen si të zbritshme (reduktojnë të ardhurat), janë: -shpenzimet për shumat e interesit bankar të kredisë të marra për shkollim, për vete apo për fëmijët, justifikuar me kopje të kontratës me bankën dhe kopje të mandatpagesave të interesave të paguara gjatë vitit. -shpenzimet për mjekim, për vete apo për fëmijët dhe personat në kujdestari, për pjesën e pambuluar nga sigurimi shëndetësor, justifikuar me kopje të faturave e pagesave deri në shumën e përcaktuar në një vendim qeverie.
Problemet e procesit
Duke qenë proces vetëdeklarativ, i gjithë procesi kryhet në vullnetin e individëve për përmbushjen e detyrimit, ndërkohë administrata tatimore, përveç krijimit të kushteve, ndjek procesin, duke mbledhur informacion për kategori të ndryshme të të ardhurave të individëve, për t’i bërë ata deklarues. Në sajë të infrastrukturës, pra sistemit elektronik, shërbimi është i disponueshëm në harkun e 24 orëve. Ndërkohë pengesat subjektive lidhen me mospasjen dijeni të detyrimit për deklarim, apo edhe nga indiferenca për të marrë informacion. “Sidoqoftë, këtë vit, administrata ka filluar përgatitjet me kohë për t’i paraprirë procesit. Konkretisht një informim në shkallë të gjerë ka nisur, fillimisht me faqen e re zyrtare të administratës tatimore me një hapësirë të dedikuar për individët, funksionale nga fillimi i këtij viti. Po ashtu ka nisur informimi në shkallë të gjerë afër tre muaj përpara mbylljes së deklarimit, që është data 30 prill 2017 – sqarojnë ekspertët tatimorë. Po kështu, informimi me target-grupe të painformuar më parë dhe që nuk kanë deklaruar më parë, si subjektet e së drejtës së autorit, përfshirë edhe artistë e këngëtarë, që krijojnë të ardhura me burim në Shqipëri por edhe jashtë vendit. “Gjejmë rastin të kujtojmë për këtë detyrim edhe individë, që bëjnë pjesë në grupin e personelit tekniko-administrativ të shoqërive tregtare, aksionerë e ortakë të tyre të cilët përfitojnë të ardhura mbi pragun e të ardhurave që parashikon ligji”, – lajmërojnë tatimet.
Ecuria
Në sistemin elektronik të tatimeve janë dorëzuar për vitin e kaluar, gjithsej 6341 deklarata nga individët tatimpagues, ku 90% e tyre janë dorëzuar brenda afatit ligjor. Bëhet fjalë për të ardhurat e realizuara gjatë vitit kalendarik 2015 dhe deklaruar në vitin 2016. Për individët që kanë qenë të paqartë në plotësimin e deklaratës, alokimit të kategorive të të ardhurave në rubrikat përkatëse apo ato grupe individësh që ka qenë të informuar por të paqartë në plotësimin e deklaratës, duhet theksuar që janë asistuar nga rrjeti i shërbimit të tatimpaguesve, funksional në të gjithë territorin e vendit.
Pritshmëritë
Trendi i deklarimeve ka ardhur në rritje. Ky ritëm në vitin e kaluar shkon në 11% rritje kundrejt vitit paraardhës. Pra këto janë ritmet e rritjes normale tashmë dhe nisur nga fakti që, procesi përgjithësisht është i ri e në zgjerim, por edhe tërësisht vetëdeklarativ, një shifër në terma absolute është e vështirë të jepet. “Është në të mirën e çdo individi, që duke deklaruar të ardhurat, të justifikojë qoftë tani por edhe në të ardhmen, burimin e pasurisë që zotëron, në mënyrë që të mos përballet me probleme serioze, të cilat legjislacioni nuk i toleron”, – sqarojnë ekspertët tatimorë. Procesi i informimit nga administrata tatimore do të vazhdojë të intensifikohet në dy muajt që vijojnë duke diversifikuar mënyrën e informimit edhe me njoftime të adresuara në rrugë elektronike apo korrespondencë postare, adresuar pjesëtarëve të grupeve të ndryshme të interesit. “Së fundi, më pranë çdo individi do të jetë rrjeti ynë i shërbimit, në mënyrë që të lehtësojë në procesin e deklarimit për çdo individ që do të ketë të nevojshme asistencën tonë. Qëllimi ynë është të maksimizojmë deklaratat e të ardhurave nga çdo grup interesi, subjekt i deklarimit, arritjen e shkallës së vërtetësisë së çdo deklarimi dhe minimizimin e çdo mase ndëshkimore administrative që dëmton financat e individëve por që ligji e ka paracaktuar”, – udhëzojnë më tej tatimorët.
Ekspertët
Artan Xhiani, ekspert fiskal, ka pohuar për “Monitor” se futja e këtij deklarimi është bërë në një periudhë të papërshtatshme, duke argumentuar se ka një sërë hapash të tjerë që duhet të ishin implementuar përpara ardhjes së këtij ligji. “Në qoftë se do t’i vendosim në një radhë kohore se çfarë duhej bërë para se të vinim te deklarimi i të ardhurave individuale, do të kishim një renditje të tillë: Formalizimi i ekonomisë dhe i pagave, përcaktimi i minimumit jetik dhe reforma e asistencës sociale. /Monitor/b.d