Në një lidhje telefonike për Top Channel, Lorik Cana ka shprehur gëzimin për triumfin e drejtësisë në rastin e vendimit të CAS-it. Kapiteni i Kombëtares është shprehur se kjo duhet të jetë një motiv shtesë në rugën drejtë Europianit.
“Të gjithë jemi të gëzuar që drejtësia triumfoi sepse ishim në të drejtën tonë, por dhe se përpjekjet për të mbrojtur qëndrimin tonë, në fund rezultuan të suksesshme. Kjo duhet të jetë një motiv shtesë për ne që të realizojmë ëndrrën e të gjithëve për të shkuar në Europian”, tha Cana.
Kapiteni ka deklaruar se mbështetja e madhe e tifozëve kuqezi, është një tregues i qartë që ekipi kombëtar është në rrugën e duhur.
“Që në edicionin e kaluar, të gjithë e kanë parë që është duke lindur një erë e re në ekipin kombëtar, po i bëjmë gjërat me një dashuri dhe krenari shumë të madhe. Po e shohim sa njerëz bëhen të lumtur kur skuadra po fiton dhe se çfarë feste po bëhet në qytetet ku ne luajmë. Kjo na ndihmon, pasi tregon se jemi në rrugën e duhur”, ka vazhduar ai.
Shqipëria tani është në gjysmë të rrugës, dhe i duhet të luajë edhe katër ndeshje të tjera të Grupit I. Lorik Cana, ashtu sikurse edhe De Biazi, ka kërkuar nga të gjithë që të jenë me këmbë në tokë.
“Të gjithë kundërshtarët do të përballen me një Shqipëri të fortë dhe kjo të jep shpresë se ne mund të marrim pikë, por ju e dini se futbolli nuk është shkencë. Është shumë e vërtetë që mundësitë janë më të mëdha se kurrë, por ne na pret pjesa më e vështirë e rrugës, por jemi shumë të përgatitur për t’i shkuar deri në fund”, u shpreh kapiteni i Shqipërisë, Lorik Cana.