Ka përfunduar verifikimi i dokumentacionit për qytetarët që shprehën interesin për pjesëmarrje në organet e “Vettingut”. Nga lista e publikuar nga Avokati i Popullit bien në sy emra si Ina Rama, Albana Shtylla, Sekretare e Përgjithshme Kuvendit apo dhe Shpresa Beçaj, gjyqtare e Gjykatës së Lartë.
Avokati i Popullit, në ushtrim të kompetencave të përcaktuara nga ligji nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, ka kryer në përputhje me përcaktimet e dhëna në nenin 6 dhe 7 të këtij ligji, verifikimin e kritereve formale të kandidatëve, të cilët kanë shprehur interesin për anëtare të institucioneve të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.
Ky proces është zhvilluar nën monitorimin e pandërprerë të ekspertëve ndërkombëtarë të ONM-së. Pas verifikimit të të gjithë aplikimeve për pozicionet e institucioneve të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, Avokati i Popullit ka verifikuar në tërësi 192 aplikime nga të cilat:
-29 aplikime kanë përmbushur kriteret formale për secilin pozicion të parashikuar nga ligji;
-163 aplikime nuk kanë përmbushur kriteret formale të përcaktuara nga ligji për secilin pozicion.
Në përfundim të këtij procesi, si dhe në zbatim të nenit 7 pika 6 të ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Avokati i Popullit, i ka dorëzuar Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit listat e kandidatëve, si dhe të gjitha dosjet individuale fizike të aplikimeve të shqyrtuara për këta kandidatë.
Vlerësimi dhe rekomandimet për kandidatët nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, do t’i përcillen Avokatit të Popullit, që së bashku me dy listat e sipërcituara do t’ja dorëzojë më pas Kuvendit të Shqipërisë.