Një debat i janarit, i publikuar së fundi, mes kreut të grupit parlamentar Gramoz Ruçi dhe kryetarit të PDIU Shpëtim Idrizi, ka hedhur dritë mes linjave të ndryshme brenda shumicës së majtë, në lidhje me çeshtjen çame. Siç ka dalë edhe nga zbardhja e debatit Ruçi-Idrizi, kreu i socialistëve në Kuvend është munduar të argumentojë se përse organizimi i një komisioni hetimor në lidhje me problemin çam nga ana e Kuvendit të Shqipërisë, është diçka joproduktive para zgjedhjeve parlamentare. Ruçi, mesa lexohet në procesverbalet e botuara, ka pasur qëndrimin se ky hap nuk mund të hidhet vetëm pak muaj para zgjedhjeve dhe se një komision hetimor i Kuvendit për një dosjen çame del jashtë juridiksionit të Parlamentit të Shqipërisë.
“Mua më duket që është të tallemi me këtë çështje. Është e pamundur që një çështje kaq madhore siç është kjo, komisioni ta zgjidhë brenda tre muajve, në prag të zgjedhjeve, për mua. E dyta, për sa i përket objektit është jashtë juridiksionit në vendin tonë dhe është jashtë funksionit tonë”, citohet të ketë deklaruar Gramoz Ruçi. Një qëndrim që ka provokuar reagimin patetik dhe joserioz të Idrizit, i cili sipas citimit që botohet nga mediat, është shprehur se “tashmë kam dyshimet e mia edhe për pozicionin e shumë vetave këtu”, duke vijuar se do të vazhdojë përpjekjet për inicimin e një hetimit parlamentar për problemin çam.
Në fund të katërvjeçarit të qeverisjes së majtë, është vënë re, veç të tjerash, një kurs diplomatik i ashpërsuar dhe tejet i artikuluar, kryesisht nga ana e PS, në lidhje me çeshtjen çame. Qysh në hartimin e programit qeverisës, të majtët kanë përfshirë në projektet e tyre të politikës së jashtme, edhe dosjen çame. Rama dhe Bushati kanë krijuar jo pak telashe në marrëdhëniet me Athinën, për shkak të deklaratave të tyre mjaft të avancuara, sa i përket reklamimit të të drejtave të popullsisë çame, të cilën pala greke vijon ta shohë me syzet e vjetra të Luftës së Ftohtë dhe të logjikës së 60-70 vjetëve më parë.
Për hir të së vërtetës, ky qëndrim daton shumë më parë se PS të afrohej me partinë e Idrizit, çka ka prodhuar tensione edhe me LSI e Ilir Metës, pasi ky i fundit është afishuar edhe për një politikë më të moderuar ndaj fqinjit jugor. Debati që aktualisht po shtyn me insistim PDIU, për të formalizuar një komision hetimor parlamentar për problemin çam, tingëllon i sforcuar dhe amatoresk. Idrizi po përpiqet të haptazi të bëjë fushatë elektorale, duke e shtyrë shumicën aktuale qeverisëse drejt pozicionesh gjithnjë e më sektare, në lidhje me çeshtjen çame dhe më në përgjithësi në raport me marrëdhëniet mes dy vendeve.
Ka një pikë kur patriotizmi dhe mbrojtja e interesave kombëtare apo të drejtave të pjesëve të caktuara të kombit, bien ndesh me arsyen dhe logjikën e ftohtë të konjukturave ndërkombëtare. Të cilat një shtet mbi njëqind vjeçar siç jemi ne, nuk mund të mos i marrë parasysh. Një parti politike nuk mund të pretendojë të fusë në tension dhe në risk një segment jo të vogël të politikës tonë rajonale, vetëm se po afrohen zgjedhjet dhe duhen marrë ca vota në periferitë e Vlorës a Fierit. Kjo qeveri ka shkuar tashmë mjaft larg me reklamimin e të drejtave të popullsisë çame. T’i futesh eksperimenteve me pasoja për politikën tonë të jashtme nuk është pjekuri, por abuzim dhe papërgjegjshmëri.