Bashkia e Tiranës vijoi sot analizat e punës së ndërmarrjeve të saj me Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit. Në takim mori pjesë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili theksoi rolin mjaft të rëndësishëm që ka luajtur Agjencia e Parqeve dhe të Rekreacionit jo vetëm në shtimin e hapësirave të gjelbra, por edhe në gjallërimin e jetës nëpër parqet e Tiranës. Ai ka theksuar se krijimi i APR-së, gati një vit më parë, ishte një vendim i drejtë dhe se ajo ka justifikuar plotësisht ekzistencën e saj, duke u bërë një nga ndërmarrjet më të rëndësishme dhe më kreative të Bashkisë së Tiranës.
Ai theksoi se vetëm në pak muaj jetë, APR ka mbjellë 8 mijë pemë dhe 32 mijë bimësi në të gjitha parqet dhe rrugët e Tiranës, ndërsa vlerësoi rolin mjaft të rëndësishëm që merr APR edhe në kuadër të zbatimit të Planit të Përgjithshëm Vendor, i cili parashikon mbjelljen e 2 milionë pemëve deri në vitin 2030. “Mezi pres që traditën e mbjelljes së pemëve ta kalojmë në një operacion gjigant të pyllëzimit të Tiranës dhe të oksigjenimit të qytetit. Ndaj, unë besoj se mënyra se si kemi filluar të identifikojmë perimetrin rreth e rrotull Unazës së Madhe të Tiranës për mbjelljet, është mënyra e duhur për të ecur përpara. Tashmë kemi një pjesë të parcelave që preken nga parqet dhe një pjesë tjetër që është në zonën e Tiranës urbane ku ne do të fillojmë të gjithë investimin e pyllit orbital”, u shpreh kryetari Veliaj.
Kryebashkiaku theksoi se vetëm falë një përkushtimi më të madh, por edhe investimeve të shtuara në Parkun e Liqenit, është bërë i mundur një interes i shtuar i qytetarëve të të gjitha moshave për të vizituar dhe kaluar kohën e lirë në të. “Nuk e keni idenë se çfarë impakti ka në publik vetëm statistika që ky park vizitohet nga 275 mijë njerëz rregullisht, disa përditë, disa një herë në javë, por rregullisht 1/3, ¼ e Tiranës është këtu çdo javë; ky është komplimenti më i madh për ne”, tha kryebashkiaku.
Veliaj theksoi se Parku i Liqenit të Tiranës është vetëm një nga hapësirat që menaxhon dhe kujdeset çdo ditë APR. “Është shumë e rëndësishme që zgjeruam konceptin e parqeve; për shumë njerëz koncepti ishte fiks, Parku i Liqenit. Ky në thelb është vetëm një prej parqeve që menaxhon APR-ja. Mbaj mend shumë prej aktiviteteve që kemi filluar të bëjmë në parkun e Kasharit, ku mbollëm 500 pemët e para. Aty ka filluar një projekt fantastik, i cili shumë shpejt do të ketë një park të ngjashëm me këtë ku jemi sot”, tha kryetari i bashkisë, duke shtuar se e njëjta punë po kryhet në parkun e Vaqarit, atë të Pezës, si dhe në liqenin e Farkës. /b.d