Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ishte në Kolonjë të Lushnjës, ku i dorëzuan disa armë në kuadër të nismës Shqipëria pa Armë. Ministri duke ju referuar rastit të konfliktit të djeshëm mes deputetit Noka dhe Braçe, Tahiri tha se, qytetarët po japin shembull më të mirë se deputetët.
“Kur hapni televizorin prapë dhunë ju del nga parlamenti. J’ua them shumë sinqerisht dhe mua më vjen turp që jam deputet, jam ministër dhe shoh në parlament lloj-lloj dhune, shfaqje të padenja për çdo familje shqiptare. Shfaqje të turpshme për Shqipërinë që duam. Por sot qytetarët kanë një mundësi t’i tregojnë një model shumë më të mirë politikës dhe të gjithë atyre që në politikë duan të çajnë përpara duke përdorur dhunën”, shtoi Tahiri.
“Sot ne mund t’u tregojmë të gjithë atyre se Shqipëria bëhet më mirë me ne. Shqipëria bëhet më e mirë pa dhunë. Shqipëria bëhet më e mirë me të gjithë ata që gjejnë te njëri-tjetri forcën për t’u bërë bashkë dhe forcën për të kaluar çdo vështirësi”, nënvizoi Ministri. /b.d