Nga Ben Andoni
Të duhet të shkosh aty, në tokën e saj, që të shikosh se Kosova realisht po përparon. Nuk është se janë hapur kaq shumë vende pune, nuk është se politika është qetësuar apo se investimet e huaja e kanë mbushur vendin. Kosova është duke e bërë fare ngadalë rrugën e saj, si shteti më i ri i kontinentit përmes sfidave që më shumë se me serbët i ka me veten. Ka mbetur si një problem i madh Demarkacioni me Malin e Zi, një tjetër me krijimin e Asosacionit të Komunave serbe, Gjykata e Krimeve të Luftës por megjithatë është duke parë përpara. Ajo, sot, përballet edhe me perceptimin e demokracisë, shikimin e luftës së UÇK-së, korrupsionin e frikshëm, drejtësinë e shpërfytyruar, shërbimin shëndetësor që çalon, e kështu me radhë.
Kosova është një shtet i ri, pavarësia e të cilit, u justifikua edhe me verdiktin e Gjykatës Ndërkombëtare, por që reflekton në vetvete për shkak të administrimit të gjithë paradoksin evropian përballë realiteteve të reja kontinentale. Kosova nuk është e njohur nga pesë shtete të kontinentit, që sipas BE-së, me gjuhën e saj plot ekuivoke, justifikohet se: “BE-ja nuk njeh shtete, por kjo është kompetencë e vendeve anëtare”. Nga ana tjetër, vetë BE-ja duket se po e shtrëngon fort një dialog shterp siç është ai i Brukselit, ku Kosova me Serbinë ruhen në dy llogore dhe përparimet e tyre respektive në lidhje me marrëdhënien me njëra-tjetrën janë gati milimetrike prej vitesh. Ka një farë perceptimi se BE po frikësohet që në rast të njohjes të gjithë shteteve evropiane të Kosovës do humbasin një nga kauzat që e shesin si sukses të BE-së, ngaqë përballë do jenë dy shtete potenciale.
Ndërkohë që BE-ja është e bllokuar seriozisht edhe për politikën e saj të zgjerimit në rajonin tonë pikërisht prej këtij fakti. Prononcimet e zyrtarëve të saj plot dykuptueshmëri e ka ulur shumë stekën e BE-së në skakierën ndërkombëtare. Por, edhe Serbia ka fituar kohë nga kjo lloj politike plot bllokada për Kosovën, ku veçohet problemi madhor i vizave, sepse me argumentimin që nuk është njohur nga disa vende të BE-së, për serbët është absurde të mund të njihet prej tyre. Duket se loja më e madhe e tyre diplomatike me Kosovën është përçmimi, zvarritja dhe stërlodhja e Kosovës me grepçat por më shumë provokimet e shumta që i bëhen. Ka filluar me lloj-lloj gjërash dhe po përfundon tashmë me provokimet për krijimin e njëanshëm të Asosacionit të komunave serbe. Dhe sikur të mos mjaftojë kjo edhe nga një luftë e brendshme politike pa princip.
A mund të thuhet se Kosova është kaq e nxirë? Jo, aspak. Janë sportistët dhe artistët që po e çajnë barrierën e kufizimeve dhe po i japin njohje Kosovës. Majlinda Kelmendi e ka pushtuar në peshën e saj botën e xhudos dhe pak ditë më parë erdhi me medaljen e radhës të artë nga Parisi, pas asaj performance historike që bëri në Rio 2016. “Home” mori pak ditë më parë çmimin në BAFTA dhe tashmë sulmon OSKAR, ashtu si një vit më parë këtë e bëri filmi “Shok”, kurse Rita Ora nuk ka ditë që nuk e përshfaq identitetin e saj me krenari. Ashtu si e bën Dua Lipa me thjeshtësi skajore në skenat më të njohura botërore. Për skeptikët këto s’janë asgjë, por Kosova po ecën realisht. Këtë e shikon nga ajo që të prezantojnë njerëzit e saj, qetësia e tyre dhe pritja që politika të ulë më në fund armët e përçarjes. Është megjithatë shumë e vështirë sepse aty ku gjenden të korruptuarit nuk ka ajër për kosovarët e thjeshtë, aman shteteve të tjerë u janë dashur dekada e shekuj për t’u përfaqësuar në nivelet e vërteta demokratike.
Dhe, kosovari i thjeshtë ka filluar që përpos gjendjes së rëndë politike, atë të amullt ekonomike të shikojë përpara. Me hapa të vegjël, por gjithsesi të vendosur. Kosovarët, paçka pretendimeve, që mëtojnë njerëz të ndryshëm e kanë në thellësi qenësinë e shtetit, respektin e institucionit, prej mungesës reale të tij dhe kjo është garancia që ky shtet i ri, jo shumë larg do jetë një shtet fare normal në familjen ballkanike.
Edhe pse pas nëntë vjetësh varfëria është ulur këmbëkryq, ashtu si shërbimet janë në nivelet më të ulëta, e kosovarët janë pre e eksperimentimit të frikshëm të elitës së tyre, që është shumë pas sensit të kosovarëve për të ndryshuar, njeriu nuhat ndryshimin. Pushteti kosovar ashtu si edhe ai homolog më gjerë në Ballkanin Perëndimor vazhdon të gënjejë dhe të merret me propagandë, por shteti mbetet ai që u shënua nëntë vjet më parë dhe që i urojmë jetë të gjatë. Kosova, megjithatë po përparon, sepse njerëzit e saj realisht e duan dhe po e ndjellin ndryshimin. (Javanews)