Një familje e emigrantëve të vendosur në Qendrën e Azilit në Vizbeg të Shkupit mbrëmë i ka vënë zjarrin dhomës ku ishin të strehuar në shenjë revolte për shkak se nuk po lejohen që të braktisin Maqedoninë.
Gazeta kosovare ‘Zëri’ shkruan se kjo familje ka theksuar se që nga muaji prill po mbahet në këtë qendër dhe nuk po lirohet që të vazhdojë rrugëtimin e saj drejt vendeve evroperëndimore, ashtu sikur emigrantët e tjerë.
Pjesëtarët e familjes kanë shpërndarë videon e regjistruar nga momenti kur i kanë vënë flakën dhomës ku ishin vendosur në Qendrën e azilit, transmeton Ina .
Sipas ‘Zëri’-t bëhet fjalë për 30 veta të vendosura në një dhomë, kryesisht gra dhe fëmijë, të cilët kanë rrezikuar jetën e tyre. Në Qendrën e Azilit janë ekipet të zjarrfikësve dhe të Ministrisë së Brendshme.
Janë me qindra emigrantë afrikan dhe aziatik që po qëndrojnë në Qendrën e azilit në Vizbeg dhe Qendrën për strehim të përkohshëm në Gazi Babë të Shkupit, të cilët po mbahen në kushte mizore dhe nuk lejohen që të lëvizin lirshëm drejt destinacionit të tyre, pasi që ata nuk duan statusin e azilit në Maqedoni.