Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka folur për konfliktin e tij me kryeministrin Rama në një intervistë të dhënë për Edison Ypin në portalin “Ypi.al”
Nishani ka thënë se Rama ka sulmuar ashpër dhe dhunshëm institucionin e Presidentit sistematikisht, duke nisur që me heqjen e fotos nga institucionet dhe deri te goditjet publike.
INTERVISTA
Zoti President, sa të shëndetshëm e kemi integritetin kombëtar, shtetëror, institucional?
Integriteti kombëtar, shtetëror dhe institucional përbëjnë kolonën, shtyllën kurrizore të vendit, shtetit, kombit. Në proporcion me këtë rëndësi të madhe që kanë, edhe përballen me sfida serioze. Sa i përket integritetit kombëtar, ne shqiptarët kemi dalë përfundimisht në anën e ndriçuar të botës duke qenë tashmë anëtarë të NATO-s. Jemi pra në parametra të lartë garancie. Por kemi dhe përgjegjësinë e madhe të përmbushim detyrimet tona në raport me Aleancën dhe sigurinë tonë kombëtare, veçanërisht në buxhetimin e mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura.
Integriteti shtetëror dhe ai institucional, në bashkëudhëtim me tre aspekte dominuese ndaj tyre, janë të sfiduara seriozisht nga aktiviteti i shtuar, i organizuar dhe i sofistikuar i krimit të organizuar (veçanërisht trafiku i lëndëve narkotike), së dyti nga korrupsioni gjerësisht i përhapur dhe arrogant. Aspekti i tretë është ai i shpresës pozitive, dinjitetit dhe koshiencës së popullit shqiptar. Besoj fort se ky dimension social, pavarësisht sfidave të jetës së përditshme me të cilat qytetarët ndeshen, përbën një garanci për një përballje të suksesshme me kërcënimet që i shfaqen sot integritetit shtetëror dhe institucional.
Në ç’masë funksionon sot në Shqipëri bashkëpunimi ndërinstitucional? Cilat janë vështirësitë, pengesat?
Për fat të keq bashkëpunimi ndërinstitucional ka probleme, çka e dëmton shtetin tonë. Kur Kryeministri bojkoton mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, imagjinoni se çfarë ndikimesh negative ka në tërë piramidën zbritëse të institucioneve të shtetit ky gjest kryeministror, pa dyshim më i keqi shembull i dhënë në këto 25 vite nga një instancë kaq e lartë. Jo vetëm pse ndodh për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar, por veçanërisht për shkak të imazhit të keq që bojkotimi në fjalë na përhap në botë. Ju pyesni për pengesat apo vështirësitë. Nuk ka të tilla. Ka thjesht arsye të mosarsyes që nuk pranon sistemin politik bazuar në shtetin ligjor që funksionon mbi bazën e parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve.
A ka mbaruar tranzicioni ynë post-diktatorial, a është futur Shqipëria në rrugën pa kthim të normalizimit? Cilat janë në këtë kontekst problemet që mbeten për t’u zgjidhur, dhe punët për t’u bërë?
Lista e problemeve dhe punëve që kanë mbetur për t’u bërë është tepër e gjatë. Koha për t’i përmbushur ato është aq e largët sa do ekzistojë vetë Shqipëria. Secili prej nesh, çdo faktor i shoqërisë sonë, çdo institucion, çdo qeveri që do të vijë, do ketë diçka për të bërë. Tranzicionin unë e shoh si një rrugëtim përgjatë të cilit nga një situatë në një tjetër, nga një standard në një tjetër, nga një realitet në një tjetër, e bëjmë veten ronë, jetën tonë, vendin tonë, më të mirë se dita apo viti që lemë pas.
Kanë arritur shqiptarët të sigurojnë një thurje sociale të qëndrueshme pa merak konfrontimi mes institucioneve, pa rrezik përplasje mes shtresave? Unë nuk dal dot nga kultura ime njerëzore dhe politike. Ndaj më duhet të them me keqardhje, ende jo. Për një tërësi arsyesh. E para e mbi të gjitha pasiguria e skajshme ekonomike individuale dhe familjare, për rrjedhojë edhe shoqërore. Shqiptarët përjetojnë një realitet ekonomik dëshpërues krejt të pamerituar. Sa kohë do ketë shqiptarë që do lihen në mëshirën e sigurimit të bukës së përditshme, nuk do mundemi të kemi një thurje shoqërore të qëndrueshme, për pasojë rreziku i konfrontimit institucional dhe social do jenë prezent.
A jetojnë shqiptarët përditë e më mirë, a janë ata çdo ditë e më të sigurtë, në fund të fundit çdo ditë e më të lirë?
Përgjigjen e kësaj pyetjeje e dinë vetëm qytetarët. Ata dhe vetëm ata mund të flasin për veten e tyre.
Marrëdhëniet Tuaja me Kryeministrin Edi Rama kanë pasur në këto vite karakter dukshëm konfliktual. Ka qënë dhe është diçka e pazararshme, thjesht një prekje reciproke në sedër, pra diçka që nuk e ka kapërcyer një ping-pong verbal me jush, apo më keq se kaq?
Nuk ka qenë konflikt. Ka qenë një atak i dhunshëm, i egër, i paqytetëruar i Kryeministrit ndaj Institucionit të Presidentit të Republikës. E para herë në historinë e shtetit tonë që ndodh në këtë masë dhe në këtë formë kaq të paramenduar, të organizuar dhe sistematike. Institucioni i Presidentit nuk ka patur kurrë qëllim, as arsye, as mekanizma, për të bërë sulme ndaj qeverisë apo Kryeministrit. Përkundër, ka qenë pareshtur nën sulmin dhe goditjet publike të tyre. Dita e parë dhe gjesti i parë i Kryeministrit ishte heqja e fotos së Presidentit nga protokolli i Shtetit Shqiptar. Nuk ishte thjesht një akt që dhunonte Kushtetutën e vendit, por edhe fillimi i zbatimit të një sjelljeje institucionale që do të pasonte të gjitha vitet më pas me një qëllim të vetëm: Delegjitimitetin e Institucionit të Presidentit të Republikës. Për këtë u angazhua i gjithë pushteti, të gjitha mekanizmat e pushtetit dhe të gjithë aleatët e mundshëm të Kryeministrit. Megjithatë arritëm ta ruajmë të pastër dhe të paprekur dinjitetin, integritetin, imazhin e Institucionit dhe të shtetit.
Përvojat e këtyre viteve si President i Republikës, a kanë qënë për Ju Zoti President përveçse të vështira, pse jo dhe të bukura?
Ende herët Edison, për të folur për përvojat. Janë të shumta dhe surprizuese. Do kemi kohë për t’i treguar edhe ato.