Greqia i paraqiti dje në mbrëmje vonë Bashkimit Evropian propozimet për reforma duke iu afruar rifillimit potencial të bisedimeve me kreditorët për shpëtimin e vendit, vetëm disa ditë përpara se vendi të shkonte drejt falimentimit.
Vendi ballkanik ka kërkuar një paketë të re shpëtimi financiar nga zona euro, por fillimisht ka nevojë të sugjerojë reforma ekonomike që duhet të zbatohen në shkëmbim të ndihmës.
“Propozimet e reja greke u morën nga presidenti i Eurogrupit, Dijsselbloem”, deklaroi zëdhënësi i tij, Michel Reijns, me anë të një postimi në Twitter.
Propozimet e reja greke janë pothuajse të njëjta me ato të kërkuara nga kreditorët, sidomos lidhur me çështjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar dhe reformën në pensione, ashtu si edhe reformat lidhur me rritjen e taksave për ishujt.
Propozimet e reja të qeverisë greke sugjerojnë një rritje të TVSH-së deri në 23 për qind me një reduktim prej 13 për qind për ushqimet bazë, energjinë, hotelet dhe ujin si edhe me një superreduktim prej gjashtë për qind për ilaçet, librat dhe teatrin, gjithmonë në linjë me kërkesat e kreditorëve.
Greqia ofron gjithashtu eliminimin e uljes së TVSH-së për ishujt duke filluar nga ata me të ardhura të larta, përjashtuar ata më të prapambeturit. Athina kishte këmbëngulur deri tani në një trajtim preferencial të TVSH-së për ishujt.
Propozimet e reja të Greqisë plotësojnë kërkesat e kreditorëve edhe për reformën në pensione duke eliminuar një grant solidariteti më shpejt nga çfarë ishte propozuar për pensionistët me të ardhura të pakta.