Duket qartazi se tashmë ka një koordinim mes krerëve të LSI në qeveri dhe Presidentit, për të anatemuar Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit që do te merret me vetting-un. Për hir të së vërtetes si Presidenti, si LSI ashtu edhe PD, kane qenë në sinkron gjithmonë kundër Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Këtë e kanë bërë si publikisht ashtu edhe në fshehtësi në përpjekje për të degraduar këtë mision me të ashtëquajturat parulla sovraniteti, kushtetute deri dhe në kërcënim për të mos votuar Reformën në Drejtësi. Edhe këtë rradhë konstatohet se si Presidenti ashtu edhe LSI me përfaqësuesin e saj në qeveri ministrin e drejtësisë Petrit Vasili, janë në unison. Presidenti Bujar Nishani i është përgjigjur letrës që ministri i drejtësisë, Petrit Vasili i dërgoi atij, kryeparlamentarit dhe kryeministrit Rama për problemin e bordit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Sot është publikuar edhe letra që kreu i shtetit i ka dërguar po sot kryeparlamentarit Meta dhe krerëve të grupeve parlamentare.
Në këtë letër zyrtare, Nishani i ka dhënë të drejtë shqetësimit të ministrit Vasili. Sipas Nishanit “asnjë institucion apo strukturë jashtë kësaj kornize ligjore, nuk do të mund të merrte atributet e një strukture të mirëpërcaktuar në Kushtetutë”, citon panorama.
Letra e Nishanit
Shqetësimi i Vasilit
Në letrën e dërguar nga Vasili theksohet se konsensusi i arritur në 21 korrik kishte të bënte me vëzhgues ndërkombëtarë ekspertë të ligjit me jo më pak se 15 vite eksperiencë, ndërsa nuk ka qenë i parashikuar krijimi i një bordi të tillë menaxhues.
“Në të gjitha dispozitat qoftë kushtetuese apo ligjore nuk ka asnjë përcaktim mbi ngritjen e një Bordi të Menaxhimit të ONM. Në komunikimin e datës 7 shkurt 2017, janë caktuar 3 ekspertë të vendeve anëtare të Bashkimit Europian dhe 2 ekspertë të SHBA. Caktimi i këtyre ekspertëve është në respektim të plotë të kërkesave të Kushtetutës dhe ligjit sa i takon proçesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, pasi këta do të jenë organi i ngarkuar që so të realizojnë vëzhgimin e pavarur”- thuhet ne leter.
Sipas Vasilit, fryma e Kushtetutës parashikon tërheqjen e ekspertizës ndërkombëtare më të mirë që do të monitorojë vettingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe jo përfshirjen politike të përfaqësuesve ndërkombëtarë, siç e quan ai krijimin e këtij bordi.
Bordi i menaxhimit të ONM u bë i ditur me ardhjen e kreut të këtëj operacioni, Genoveva Ruiz Calavera dhe në përbërje të tij ka 5 juristë, 3 nga vendet e BE dhe 2 nga SHBA. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit nuk do të ketë asnjë fuqi ekzekutivi në proçesin e zbatimit të reformës në drejtësi.
JAVANEWS/ MA.ME