Të dhënat e publikuara nga Enti Rregullator i Energjisë mbi konsumin sipas fashave tregojnë një pabarazi ekstreme në konsum si dhe faktin se barazimi i çmimeve në vitin 2015 rëndoi disproporcionalisht më shumë 60 përqindëshin e konsumatorëve të varfër.
Vetëm 7 për qind e konsumatorëve familjarë konsumojnë mbi 500 kWh në muaj dhe së bashku konsumojnë mbi 30 për qind të totalit të energjisë që OSHEE i shet gjatë një viti të zakonshëm familjeve shqiptare.
Të dhënat e publikuara nga Enti Rregullator i Energjisë të publikuara në raportin vjetor 2015 tregojnë se familjet shqiptare konsumojnë rreth 2.5 miliardë kWh energji në vit por konsumimi i kësaj sasie rezulton thellësisht i pabarabartë. Sipas të dhënave të konsumit sipas fashave, 22 për qind e kontratave kanë konsum zero, që nënkupton në përgjithësi familje emigrantësh të cilët i mbajnë shtëpitë e tyre të mbyllura. Rreth 17 për qind të familjeve të varfra konsumojnë bashkarisht vetëm 4 për qind të energjisë totale me një konsum prej më pak se 100 kWh në muaj. Të 100 kilovatorët në muaj janë të mjaftueshme vetëm për të mbajtur në punë pajisjet elementare si ndriçim dhe televizor ndërsa për të siguruar ujë të ngrohtë apo për të vënë në punë lavatriçen kërkohet konsum më i lartë se kaq. Familjet që konsumojnë mbi 400 kWh në muaj zakonisht e përdorin energjinë elektrike edhe për ngrohje apo për ajër të kondicionuar. Rreth 5 për qind e familjeve shqiptare konsumojnë mes 401 dhe 500 kWh në muaj ndërsa vetëm 7 për qind konsumojnë mbi 500 kWh në muaj.
Në total, 56 për qind e familjeve që konsumojnë deri në 300 kWh në muaj janë përgjegjëse për 42 për qind të konsumit total ndërsa 22 për qind e familjeve të mesme dhe të pasura, rezultojnë përgjegjëse për 58 për qind të konsumit.
Shqipëria ka statistika të dobëta për të matur pabarazinë në të ardhura për shkak se tatimi i të ardhurave personale kryhet në nivel individi dhe jo në nivel familjeje ndërsa përpjekjet e herë pas hershme për të llogaritur indeksin Gini kanë rezultuar të pasuksesshme. Konsumi i energjisë elektrike sipas fashave tregon pjesërisht stilin e jetesës së familjeve dhe aftësinë për të paguar ose jo fatura të shtrenjta.
Çmimi u rrit për shumicën e varfër
Enti Rregullator i Energjisë miratoi në fund të vitit 2014 një ndryshim në strukturën e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë duke vendosur një tarifë të sheshtë prej 9.6 lekësh pa TVSH. Më herët, familjet shqiptare paguanin konsumin deri në 300 kWh në masën 7.7 lekë dhe konsumin mbi 300 kWh në masën 13.5 lekë. Barazimi i tarifës në 9.6 lekë bëri që 56 për qind e familjeve të merrnin një rritje çmimi prej gati 25 për qind ndërsa 22 për qind e familjeve që konsumojnë mbi 300 kWh morën një ulje çmimi në varësi të konsumit, ku sa më i lartë të qe konsumi, aq më e madhe qe ulja e përfituar.
Qeveria miratoi në atë kohë një vendim për të kompensuar një pjesë të vogël të familjeve më të varfra për çmimin e rritur të energjisë, por shumica dërrmuese e familjeve që paguan çmimin shtesë nuk qenë përfitues të kësaj mase. reporter.al /ma.me