Duke nisur nga dita e sotme, të gjithë shtetasit shqiptarë, pavarësisht rezidencës së tyre, mund të marrin shërbim nga ambasadat shqiptare në çdo vend ku ata ndodhen.
36 shërbime të reja për të gjithë shtetasit jashtë kufijve do të ofrohen online, duke shmangur nevojën e paraqitjes fizike në përfaqësinë më të afërt diplomatike shqiptare.
Në kushtet e burimeve të kufizuara financiare të shtetit shqiptar, ndërtimi i kësaj platforme dixhitale përbën një risi, e cila përmirëson në mënyrë drastike shërbimin e përfaqësive tona diplomatike e konsullore.
Njëkohësisht, duke aplikuar online, shtetasit shqiptarë me banim jashtë kufijve do të kursejnë kohë dhe para, që më përpara nevojiteshin për t’u zhvendosur nga vendndodhja e tyre në përfaqësinë më të afërt.
Lista e shërbimeve që i ofrohet emigrantëve apo çdo shtetasi tjetër shqiptar në udhëtim jashtë vendit mund të gjendet në portalin e-Albania ose në faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme./b.d