Sekretari i Shtetit Amerikan, Rex Tillerson uroi me anë të një mesazhi 9-vjetorin e Pavarësisë së Shtetit të Kosovës.
Mesazhi i publikuar në faqen zyrtare të DASH vlerëson marrëdhëniet e mira mes vendeve dhe konfirmon mbështetjen e SHBA për njohjen e Pavarësisë së Kosovës.
“Në emër të Presidentit Trump dhe popullit amerikan kam kënaqësinë të uroj qytetarët e Kosovës në 9 vjetorin e pavarësisë që festohet më 17 Shkurt”, thuhet në mesazhin e Rex Tillerson. Mesazhi vlerëson reformat e shtetit të Kosovës dhe arritjet e vendit në institucionet ndërkombëtarë.
“SHBA-të vlerësojnë miqësinë e ngushtë me Kosovën, të bazuar në aspiratat e përbashkëta për stabilitet, paqe dhe prosperitet për të gjithë qytetarët tanë. Ne duartrokasim progresin që qytetarët e Kosovës kanë arritur në zhvillimin e demokracisë dhe institucioneve multietnike përgjatë 9 viteve të pavarësisë”, theksohet në mesazh.
Në vitin 2016, vijon mesazhi i Tillerson, Shtetet e Bashkuara ishin gëzuara që panë Kosovën të merrte medaljen e parë të artë Olimpike dhe pjesëmarrjen e ekipit kombëtarë të futbollit në FIFA.
“Ne po shohim sesi Kosova po vazhdon të punoj për të forcuar zbatimin e ligjit, luftën kundër ekstremizmit dhe ndërtimin e marrëdhënieve pozitive me fqinjët e saj. SHBA mbeten të përkushtuara ta ndihmojnë Kosovën që të ketë sukses dhe ne do të vazhdojmë të punojmë me liderët dhe popullin e saj në kërkim të paqes dhe prosperitetit”, përfundon mesazhi i Tillerson./b.d