Ministria e Shëndetësisë njofton se një tjetër pajisje e teknologjisë së fundit i shtohet Qendrës Spitalore Universitare, “Nënë Tereza” në Tiranë, e cila rrit ndjeshëm cilësinë e shërbimit të ofruar ndaj pacientëve. Bëhet fjalë për pajisjen e njohur me emërtimin ERCP.
Pajisja bën të mundur realizimin e ndërhyrjeve në rrugët e tëmthit duke shmangur kirurgjinë e hapur, ndërsa përmes aplikimit të saj, shkurtohet ndjeshëm jo vetëm koha e realizimit të interventit, por edhe ajo e qëndrimit të pacientëve në spital pas ndërhyrjes, ul ndjeshëm përdorimin e barnave post-operatore, si dhe është një ndihmë e madhe për vetë mjekët kirurgë për ta ushtruar sa më mirë profesionin e tyre.
Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, inspektoi mjediset ku është vendosur kjo pajisje e re bashkëkohore, teksa u njoh nga mjekët në lidhje me përdorimin e saj, si dhe ndoqi nga afër një ndërhyrje, e cila u realizua me sukses të plotë.
“Kjo do të shërbejë edhe për mjekët që janë me specializim që në kohën e specializimit, të mund të punojnë me teknika edhe më të avancuara, për t’u dhënë dhe atyre një shpresë që edhe në Shqipëri, me gjithë problemet që kemi në sistemin shëndetësor, edhe për shkencë, edhe për mjekësi të avancuar ka hapësirë”, u shpreh Beqaj.
Kreu i Shëndetësisë bëri të ditur gjithashtu se të tjera investime pritet të realizohen gjatë këtij viti në QSUT, duke njoftuar se së shpejti do të nisin punimet për ndërtimin e godinës së re të kirurgjisë.
“Unë besoj se, ju keni filluar ta ndjeni, përgjithësisht në Kirurgji, fillimisht në QSUT, elementët e rinj që ka sjellë furnizimi i instrumentave (kirurgjikalë) të sterilizuar, më në fund, jemi në fazën pothuajse përfundimtare që të fillojmë ndërtimin edhe të kirurgjisë së re, e cila do ta kompletojë shumë më tepër të gjithë shërbimin”, theksoi ministri. /b.d