Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviç, i bëri thirrje Rusisë dhe aleatëve të saj brenda Malit të Zi që të ndalojnë destabilizimin e këtij vendi, në përpjekje për të parandaluar anëtarësimin e tij në NATO.
Markoviç tha se “ata që paralajmërojnë trazira në Mal të Zi apo jashtë tij duhet t’i mbajnë duart larg Malit të Zi”.
Komentet e tij vijnë pasi partitë pro-ruse kanë dënuar thirrjen e prokurorit special të Malit të Zi, drejtuar Parlamentit, për t’iu hequr imunitetin dy udhëheqësve të lartë të opozitës, transmeton rel.
Andrija Mandiç dhe Milan Knezheviç, udhëheqës të partisë opozitare Fronti Demokratik, e cila ka qëndrime pro Kremlinit, dyshohet se kanë qenë të përfshirë në një komplot, tetorin e kaluar, për të vrarë kryeministrin e atëhershëm të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç.
Prokurori Milivoje Katniç do që atyre t’iu hiqet imuniteti dhe të gjykohen për konspiracion kriminal dhe nxitje të “akteve kundër rendit kushtetues dhe sigurisë në Mal të Zi”.
Parlamenti do të votojë për imunitetin e tyre më 15 shkurt.
Mandiç dhe Knezheviç, të cilët i mohojnë akuzat, kanë paralajmëruar luftë civile në Mal të Zi për shkak të kërkesës së Markoviçit për anëtarësim në NATO, citohet Koha . (b.an)