Veç kostove të aktivitetit apo tatimeve që paguajnë në shtet, bizneset kanë dhe një kosto tjetër më të padukshme. Ajo është e ashtuquajtura taksa e krimit.
“Për vendet si Shqipëria, apo ato lindore, ku ligji nuk funksionon si duhet, krimi zë një kosto të jashtëzakonshme tek sipërmarrjet private, sidomos tek ato që janë të ekspozuara ndaj krimit”, deklaron Nikolin Jaka.
Në vendet e zhvilluara, kostot që biznesi paguan për krimin kufizohen kryesisht tek shpenzimet për ngritjen e sistemeve të sigurisë. Por në vendet me institucione të dobëta, krimi ka kosto ekstra.
“Nga bastisjet, grabitjet, vjedhjet, marrja peng apo gjobat, por edhe shumë fenomene të tjera”, nënvizon Jaka raporton tch. Por përtej perceptimit, kostot e krimit janë të matshme.
Sipas Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, në Shqipëri krimi i merr biznesit mesatarisht 6.5 për qind të xhiros bruto. Në varësi të llojit të biznesit, në disa raste kjo shifër mund të jetë më e madhe edhe sesa tatim-fitimi që paguhet në shtet. Megjithatë, jo të gjithë paguajnë njësoj.
“Kjo ka të bëjë me aktivitetin që është i ekspozuar me krimin. Nëse ka një aktivitet që nuk ballafaqohet me krimin në aktivitetin e përditshëm, atëherë kostot mund të jenë të ulëta. Ndërsa në rast të kundërt, kostot janë të larta”, shton Jaka.
Sipas BERZH, për vendet e rajonit shpenzimet mesatare për krimin zënë 5.9 për qind të xhiros./a.m.