Takimi me Antje Mueller, menaxhere e projektit, Sascha Markovic, koordinatorin rajonal nga Fondacioni Zoran Djindic dhe Erla Kadiu, një prej ish-bursanteve, na ndihmon për të kuptuar sa më shumë rreth këtij programi. I krijuar që në vitin 2003, programi u jep mundësinë studentëve dhe profesionistëve të rinj të Ballkanit Perëndimor, që për një periudhë 3-6 mujore të zhvillojnë praktika pune në kompanitë më prestigjioze gjermane. Në datat 7, 8 dhe 9 shkurt u realizuan 50 intervista, ku 17 prej tyre janë kualifikuar për fazën e mëtejshme.
Antje Mueller shprehet për Citizens Channel se këto tre ditë të intervistave komisioni është njohur me aplikantë jo të mirëpërgatitur, por edhe me kandidatë me formim shumë të mirë e ide të qarta rreth praktikës. “Në total kishim 1300 aplikime. Nga Shqipëria patëm 320 aplikime dhe ftuam në intervistë vetëm 50. Shumica e aplikimeve vijnë nga degët e Inxhinierisë dhe ekonomikut”.
Ndërsa sipas Sascha Markovic, kësaj here është evidentuar një mungesë përgatitjeje në fazën e intervistës. Ai thotë se ky fenonem nuk ndodh vetëm në Shqipëri, por kryesisht në të gjithë vendet e Ballkanit. “Mbase ky është brezi ku kandidatët nuk investojnë dhe aq shumë kohë për përgatitjen, për të shkruar letrën e motivimit apo të përgatisin CV-në, ashtu siç ndodhte në vitet e mëparshme. Ata nuk i kushtojnë rëndësi përmbushjes së kritereve, të cilat nuk janë dhe aq të vështira. Ne po vrasim mendjen nëse sistemi nuk po u mëson të rinjve se si të aplikojnë në rrugën e duhur ose se si të shkruajnë një e-mail të përshtatshëm. Kjo ndodh rëndom në tre vitet e fundit”.
Duke bërë një analizë të këtij fenomeni, Markovic argumenton se: “Niveli ka ndryshuar nga viti në vit, mbase në mënyrën që kandidatët kanë shumë më tepër mundësi seç kanë pasur vitet e kaluara dhe nuk investojnë kohë sa ç’duhet që të shkruajnë dhe të nisin një aplikim të mirë në programin tonë. Ose mund të jetë se këto breza nuk u japin rëndësi detajeve”.
Por mes disa pikave të dobëta që gjen, Markovic ndalet edhe tek një detaj interesant i aplikantëve shqiptarë. “Një gjë pozitive për Shqipërinë është se kemi një numër shumë të lartë të femrave të kualifikuara në fushat e dominuara nga meshkujt. Si përshembull inxhinieria, dhe kemi një numër të lartë aplikantesh femra shumë të përgatitura dhe shumë ambicioze”.
Duke u ndalur në atë se çfarë i pret pas përfundimit të praktikës, znj.Mueller vë theksin tek kthimi i bursantëve në Shqipëri, aty ku duhet të vënë në zbatim eksperiencën e përftuar në Gjermani. “Së pari duhet pasur parasysh që dhe në Gjermani duhet të luftosh për një vend pune. Për ne ka rëndësi që këta të rinj të përpiqen në vendin e tyre. Qëllimi i programit tonë është që bursantët të marrin eksperiencën gjermane të punës dhe të mund ta sjellin në vendet e tyre”.
Të njëjtën gjë ka vërejtur dhe ish-bursantja Kadiu, e cila praktikën e saj e ka zhvilluar në Frankfurt në bankën e njohur KfW përgjatë vitit 2016. “Disa nga aplikantët e intervistuar kishin tendencën për të qëndruar në Gjermani. Mendojnë se duke i bërë komplimente Gjermanisë dhe duke thënë që e pëlqejnë programin, kjo gjë do i bëjë të zgjidhen. Në fakt, është krejt e kundërta.”
Dhe sigurisht që ka shumë këshilla për të dhënë për të rinjtë që do të duan të aplikojnë për bursat e vitit 2018. “Shkruajini me kujdes CV-të dhe mos përfshini në të informacione të panevojshme. Përqendrohuni shumë tek detajet që kanë vërtet rëndësi tek shkollimi juaj apo eksperienca e punës, dhe më pak tek detajet shtesë, jashtë kurrikulës ose hobet. E rëndësishme është të kuptoni për atë që po aplikoni dhe fokusohuni aty, në letrën e motivimit dhe CV-në tuaj”, rekomandon Markovic.
“Aplikantët nuk investojnë shumë në intervistë dhe nuk e prezantojnë mirë veten. Duhet të kenë parasysh letrën e motivimit që ka shumë rëndësi”, këshillon Kadiu. (Citizens Channel)