Kreu i FRD shprehet se po negociohet me Partinë Socialiste në funksion të koalicionit për zgjedhjet e 2017-s dhe argumenti kryesor për këtë vendim është zgjerimi i bazës politike të tij për reformat jetike
Ish-presidenti, dikur numri dy i PD, e sheh opozitën në një rrugëtim pa surpriza. Për të, për fat të keq opozita aktuale është një institucion që nuk ka nxjerrë mësime nga mënyra si ka bërë politikë me institucionet e shtetit në vitet e qeverisjes së saj.
“Është në të njëjtin shtrat të pa ajrosur, ku ambiguiteti në mendime dhe sidomos në vendimmarrje, sipas meje nuk jep shpresë për çlirim nga ‘prangat’ e frymës totalitare që mbizotëron në sjelljen e saj”.
Zoti Topi, aritmetika në Partinë Socialiste ju ka përfshirë edhe ju në kalkulimet e zgjedhjeve të 18 qershorit. Pas një bashkëpunimi që patët në zgjedhjet e fundit vendore, a keni një ftese për të qenë në koalicion edhe për këto zgjedhje?
Politika është lëvizje dinamike e shpesh e ndërlikuar me komponentë ku edhe matematika ka vendin e saj, por jo më të rëndësishmin. Ne jemi në kontakte edhe në funksion të lëvizjeve për ndërtimin e koalicioneve për zgjedhjet politike, por ende nuk mund të shprehemi zyrtarisht, pasi paraprakisht duhet si vendimi ynë ashtu dhe vendimmarrja e të tjerëve dhe deri tani asgjë nuk ka ndodhur veç shprehjes së dëshirës dhe predispozicionit për bisedime. Fryma e Re Demokratike ka pjekur mendimin që Kodi Zgjedhor të imponon konkurrimin në një koalicion, i cili ende nuk është precizuar.
Nëse kjo ftesë do të vijë, cila do të jetë përgjigja e FRD-së? A do të jetë ajo një përgjigje me kushte?
FRD është projektuar si një subjekt i lirë dhe i principeve të forta dhe jo si parti pazaresh, qoftë në raport me veten ashtu dhe me cilindo partner politik. Kushti i vetëm është luajaliteti në marrëveshje dhe qëllimet e saj të cilat duhet të jenë në çdo rast në koherencë me identitetin tonë dhe programin. Ndonëse partitë mund të kenë programe të ndryshme shumë gjëra me rëndësi për shtetin e qytetarët mund të harmonizohen me lehtësi.
Cilat janë argumentet, që mund të shtyjnë partinë tuaj në një koalicion me PS-në? Bashkangjitur kësaj a keni një analizë për bilancin e qeverisë “Rama”? Çfarë vlerësoni pozitive dhe negative në këtë mandat qeveritar?
Në kontekstin e marrëdhënieve politike, që të realizohet një bashkëpunim duhen dy ose më shumë palë. Duke vlerësuar situatën dhe koniunkturën politike në Shqipëri ne synojmë të gjejmë bashkëpunimin aty ku ofrohet klimë komunikimi e dialogu politik e njerëzor, i cili mendoj se është mjaft kompleks dhe me të panjohura. Natyrisht nuk mund të ketë bashkëpunim aty ku nuk ka komunikim, për më tepër ku arroganca është tipar karakteristik. Në vijim të komunikimit shihen edhe mundësitë e bashkëveprimit dhe interesat politikë. Duke mos qenë sot në qeveri, por në të njëjtën kohë në dialog politik, ne nuk mund të merremi me analizën e arritjeve apo dështimeve të qeverisë sot, por mendojmë se në të ardhmen mund të kontribuojmë me kapacitete e eksperiencë politike për një paraqitje më të mirë nëse bashkëpunimi do formalizohet në të ardhmen. Arritjet apo mosarritjet si bilanc janë detyrë e kryeministrit sikurse politikisht Ai nuk ka sot asnjë detyrim ndaj nesh pasi nuk ka patur marrëveshje politike. Nëse do shkojmë në koalicion besoj argumenti kryesor është zgjerimi i bazës politike të tij për reformat jetike që nuk mund të jenë domen i një partie të qendrës të majtë apo të djathtë qofshin, por në interes të shqiptarëve siç është prona apo shteti i së drejtës.
Në mes të LSI-së e PDIU-së ka një klimë tensioni, pasi kjo e fundit shihet si zëvendësuesja e partisë së drejtuar nga Meta. Në këtë kontekst si kryetar i FRD-së a ju prek dhe juve ky virus (sëmundja e partive të vogla që kushtëzojnë numrat e qeverisë dhe përdorin pushtetin për të zgjeruar elektoratin) dhe a e quani një degradim të të bërit politikë këtë metodologji?
Së pari, nuk mund të komentoj mënyrën e sjelljes së partive të tjera. Kjo mund të bëhet më mirë dhe më me realizëm nga ju gazetarët. Ajo që lidhet me ne si parti politike që nuk është vënë ndonjëherë në dyshim është fakti që programi dhe sjellja politike të jenë parimore dhe qytetare. Te ky binom vlerash do t’i gjeni të gjitha shpjegimet.
Çfarë vlerësimi keni për opozitën e drejtuar nga Basha, i cili po shkon drejt një “mandati” katërvjeçar në krye të drejtimit të PD-së?
Opozita parlamentare është në një rrugëtim pa surpriza. Unë prej kohësh e kam parashikuar trajektoren e saj. Për fatin e keq të saj opozita aktuale është një institucion që nuk ka nxjerrë mësime nga mënyra si ka bërë politikë me institucionet e shtetit në vitet e qeverisjes së saj. Është në të njëjtin shtrat të pa ajrosur ku ambiguiteti në mendime dhe sidomos në vendimmarrje, sipas meje nuk jep shpresë për çlirim nga “prangat” e frymës totalitare që mbizotëron në sjelljen e saj.
Është e treta herë që kërkohet shtyrja e veprimtarisë së komisionit për reformën zgjedhore, ndërsa deri më tash duhet thënë se nuk ka asnjë rezultat konkret…Çfarë pasojash sjell një situatë e tillë për zgjedhjet e afërme?
Jam shprehur me nota të forta kritike për reformën zgjedhore, e cila në memorien time nuk ka qenë më e paqartë në harkun e gjithë tranzicionit shqiptar. Natyrisht nuk ka vullnet duke e kërkuar fajin te njëri-tjetri, ndonëse faji i ka mbuluar pa i dhënë asnjë alibi për dështimin. Kjo reformë është në agoni, dhe çdo shtyrje afati duhet konsideruar si një vdekje klinike e radhës. Sipas meje pak shanse ka të mbijetojë. Atë tashmë me vullnet e kanë vdekur duke e çuar sërish vendin në zgjedhjet e radhës me pasiguri dhe me riskun e madh të kontestimit.
Çfarë përshtypjeje ju ka lënë debati i fundit Llalla-Lu, i cili në fokus ka ecurinë e Reformës në Drejtësi?
Nuk mund të interpretoj notat personale të debatit. Për sa unë njoh politikën dhe shtetin kam bindjen se në mënyrën e sjelljes së përfaqësuesve të partnerit tonë kryesor SHBA, asgjë nuk vjen me nota personale. Është në kulturën politike të atij vendi të madh funksionimi me gjuhë institucionale dhe të fortë e të drejtpërdrejtë. Miqtë tanë e kanë deklaruar qartë se kanë vendosmërinë të bëjnë Reformën në Drejtësi shpejt, fort dhe pa mëdyshje. Edhe bindja ime është që kjo reformë nuk do të mund të ndalet dhe për asnjë arsye.
Ka shumë pikëpyetje lidhur me ecurinë e Reformës në Drejtësi, e cila sa duket ka shfaqur ngërçet e para dhe këtu i referohem jo vetëm ngritjes së KED-it, por edhe interesimit të ulët për organet më të rëndësishme, ato të vettingut… Si e shpjegoni këtë fenomen?
Sigurisht reforma është proces. Ka vështirësitë e veta pasi bëhet edhe në shtratin e politikës dhe me një trysni psikologjike për ta dhe vetë njerëzit e drejtësisë. Tani ligjet janë, transparenca do bëhet dhe kush do jetë i pastër do kualifikohet./Mapo/ Intervistoi: Nevila Perndoj