Nga SHABAN MURATI
Ka një dinamikë në rritje të strategjisë serbe të tensionit në Kosovë dhe ndaj Kosovës. Që nga muri i Mitrovicës, provokacioni me trenin paraushtarak arrestimi i Haradinajt, e deri te kërcënimet luftënxitëse të Presidentit të Serbisë se do të dërgojë ushtrinë në Kosovë, apo të zëvendëskryeministrit Daçiç në 10 shkurt për një luftë të re midis Kosovës dhe Serbisë “në sytë e Europës”, shpalosin një kurs të ri të rrezikshëm të Beogradit për shkallëzimin e tensioneve dhe provokimin e një konflikti të kufizuar.
Pjesë e kësaj strategjie serbe të tensionit ishte edhe dështimi i bisedimeve të fundit në nivel të lartë midis presidentëve dhe kryeministrave të Kosovës dhe të Serbisë në Bruksel. Presidenti i Serbisë, T. Nikoliç, i cili mori pjesë për herë të parë në katër vjet në bisedimet e Brukselit midis dy vendeve në 24 janar, e bëri këtë hap për të marrë kurorën nacionaliste të dështimit të qëllimshëm të bisedimeve dhe për të paraqitur mesazhe kërcënuese në Bruksel. Presidenti i Serbisë akuzoi Bashkimin Europian se “mban anën e Kosovës dhe se me gjithë këtë fakt, Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën”. Është një mesazh i drujtë serb, i cili zhvleftëson vetë mbajtjen e bisedimeve dhe që tregon se Serbia po i zhvillon bisedimet për hir të bisedimeve, sa për të fituar kohë dhe për të pasur një alibi për integrimin e saj në BE.
Madje mund të thuhet se Serbia po ndjek edhe në bisedimet e tanishme të Brukselit të njëjtën taktikë si në Rambuje për zvarritjen dhe xhirimin në vend të bisedimeve. Asistojmë në një intensitet provokimesh të njëpasnjëshme të Serbisë ndaj Kosovës, të cilat nuk kanë pasur më parë këtë densitet si në gjashtë javët e para të këtij viti. Kjo situatë e re kërkon një analizë dhe kuptim më adekuat të kësaj strategjie serbe të tensionit edhe nga ana e Shqipërisë. Pa dyshim, objektivi i drejtpërdrejtë i tensioneve, që po shkakton Serbia në drejtim të Kosovës, është Kosova, stabiliteti dhe integriteti i saj shtetëror. Kjo dinamikë e re intensive e provokimeve serbe ndaj Kosovës nuk është e rastit. Ajo përkon me disa koniunktura të reja rajonale dhe ndërkombëtare. Së pari, përkon me intensifikimin e ndërhyrjes së Rusisë në punët e brendshme të rajonit dhe me një intensifikim të luftës hibride ruse për rritjen e influencës në rajon.
Ka një agresivitet më të madh rus në Ballkan, që shprehet me një përzierje të fortë në zgjedhjet dhe në jetën e brendshme politike, mediatike dhe civile në vendet e rajonit. Ka një agresivitet më të madh rus edhe ndaj Kosovës, kur ministri i Jashtëm rus i lejon vetes t’i kërkojë Prishtinës të mos dërgojë forca në territorin e saj sovran, gjë që është njësoj sikur dikush t’i kërkonte Moskës të mos dërgojë trupat e veta në Çeçeni. Ministri i Jashtëm rus pohoi gjithashtu se Ministria e Jashtme ruse është në kontakt të vazhdueshëm me Serbinë për situatën në Kosovë, çka dëshmon se çdo veprim dhe provokim serb ndaj Kosovës është kombinacion diplomatiko-diversionist ruso-serb dhe pjesë e një strategjie më të gjerë ruse për tensionimin e situatës në të gjithë rajonin. Së dyti, përkon me ndryshimin e administratës në SHBA, ku ndërrimi i presidentëve është interpretuar në disa qarqe politike dhe diplomatike në Ballkan si çinteresim i SHBA për Ballkanin.
Vetë presidenti Nikoliç u shpreh me këtë rast se ai shpreson se presidenti i ri amerikan do të jetë më i favorshëm për Serbinë. Kjo do të thotë se Beogradi e interpreton ndërrimin presidencial në SHBA si kohë e përshtatshme për të ndërmarrë presione dhe goditje të reja kundër shtetit të pavarur të Kosovës. Së treti, përkon me një politikë tensionesh rajonale, që po ndjek Beogradi kohët e fundit. Serbia po i shkon me qëllim një acarimi të paparë dhe gjithëplanësh me Kroacinë, një anëtare e NATO-s dhe e BEsë. Serbia rezultoi e implikuar bashkë me Rusinë në organizimin e përpjekjes për grusht shteti në Mal të Zi gjatë zgjedhjeve në tetorin e vitit të kaluar. Serbia po acaron me ritëm të habitshëm situatat në Bosnjë-Hercegovinë, duke ndërsyer presidentin e së ashtuquajturës “serpska republika” për akte separatiste. Serbia po provokon acarime në Maqedoni në kohën e një krize politike dhe qeveritare atje. Me këtë strategji tensionesh rajonale Serbia po synon të imponojë një rol drejtues dhe hegjemon në rajon. Tensionet serbe ndaj Kosovës duhet të merren më seriozisht në Shqipëri, sepse ato janë tensione edhe ndaj Shqipërisë.
Do të ishte naivitet i madh diplomatik dhe shtetëror, nëse Shqipëria do ta shihte veten të ndarë nga kjo strategji e rrezikshme serbe ndaj Kosovës. Këtë naivitet e ushqejnë disa grupe lobistësh serbë me kombësi shqiptare në Tiranë dhe në Prishtinë, të cilët synojnë të injektojnë pareshtur qëndrimin e rrezikshëm se ajo që bën Serbia ndaj Kosovës, nuk ka të bëjë me Shqipërinë, dhe se Serbia ndaj Shqipërisë ndjek politikë paqësore. Për fat të keq, këto grupe lobistësh serbë me kombësi shqiptare, kanë një akses të habitshëm në disa zyra shtetërore në Tiranë dhe në Prishtinë, ndoshta të stimuluar nga mielli serb, nga ilaçet serbe, nga energjia elektrike serbe apo nga lidhje të vjetra okulte serbe. Qeveria dhe diplomacia serbe po punojnë shumë për t’i krijuar Tiranës idenë se, pavarësisht nga tensionet dhe hijet e luftës me Kosovën, Serbia po ndjek një politikë distensioni me Shqipërinë. Është një metodë tipike bizantine dhe serbe për të krijuar një çarje dhe ndarje interesash dhe qëndrimesh strategjike midis Shqipërisë dhe Kosovës. Është një strategji dinake, e cila ngulmon ta përçajë interesin tonë jetik të përbashkët si komb.
Ka qenë një nga boshtet e politikës dhe të diplomacisë së Serbisë me Shqipërinë teza, që çfarëdo që Serbia bën ndaj Kosovës, nuk ka të bëjë me Shqipërinë. Serbia ka dashur dhe do vazhdimisht që të ndajë Shqipërinë me Kosovën, me qëllimin që dy shtetet shqiptare të mos jenë një faktor i përbashkët shqiptar i forcës dhe i ekuilibrave në rajon. Diplomacia dhe propaganda serbe në Shqipëri kanë punuar shumë për të përhapur iluzionin optik se me ardhjen në pushtet të kryeministrit Aleksandër Vuçiç ka filluar një periudhë e shkrirjes së akujve midis Serbisë dhe Shqipërisë. Akujt shqiptaro-serbë në fakt janë aty dhe mbreti i marrëdhënieve Shqipëri-Serbi është lakuriq. Kryeministri Vuçiç nuk ka firmosur asnjë marrëveshje të rëndësishme me Shqipërinë dhe ende nuk denjon të pranojë një marrëveshje modeste, siç është ajo e njohjes së diplomave universitare midis dy vendeve, të cilën e ka premtuar që në vitin 2014 se do ta nënshkruajë.
Kryeministri i Serbisë vazhdon të bllokojë ndërtimin e interkonjeksionit midis Shqipërisë dhe Kosovës, me gjithë kërkesat e përsëritura nga Tirana, nga të cilat e fundit në 9 shkurt. Një Serbi që ndjek marrëdhënie anormale me Kosovën, nuk mund të ketë marrëdhënie normale me Shqipërinë. Një Serbi që ngre tensionet çdo ditë me Kosovën dhe ndjell erëra lufte me Kosovën, nuk mund që të jetë për paqen me Shqipërinë. Ka një taktikë dinake, që Serbia po ndjek me Shqipërinë. Kjo është taktika e dy niveleve të marrëdhënieve dypalëshe. Njëri është niveli shtetëror, që mban të njëjtin qëndrim të ftohtë dhe hierarkik në marrëdhëniet me Shqipërinë. Tjetri është niveli i transferimit të marrëdhënieve tek aktorët joshtetërorë, që profesojnë paqen dhe miqësinë midis dy popujve. Vendosja në plan të parë e aktorëve joshtetërorë, e shoqatave joqeveritare, apo grupeve mediatike apo ekonomike apo sportive, është një tymnajë për të krijuar në Shqipëri iluzionin propagandistik se marrëdhëniet midis dy shteteve mund të ecin dhe po ecin miqësisht, pavarësisht se çfarë po bën Serbia kundër Kosovës.
E bukura është se ato shoqata joqeveritare apo grupet e mësipërme në Tiranë, sponsorizohen qartazi nga Serbia. Në fakt, taktika e dy niveleve është një taktikë tepër e hollë, për të cilën nuk mund të thuhet se nuk u ka veshur sytë edhe disa zyrave shtetërore në Shqipëri, të cilat nuk kuptojnë ose ngatërrojnë nga injoranca apo nga mosdëshira të vërtetën e madhe që marrëdhëniet shtetërore i mban shteti dhe politikën e jashtme kudo në botë e bëjnë zyrat shtetërore. Nuk e bëjnë dhe as mund ta bëjnë politikën e jashtme shoqatat joqeveritare fitimprurëse dhe as lobistët serbë me shtetësi shqiptare, që i shohim si bufonë në disa tavolina të rëndësishme qeveritare. Shteti shqiptar dhe diplomacia shqiptare duhet të ndërgjegjësohen më shumë për realitetet e mbidheshme dhe të nëndheshme ballkanike dhe serbe. Strategjia serbe e tensioneve ndaj Kosovës është strategji edhe ndaj Shqipërisë. Është ndaj kombit shqiptar si i tërë. Këtë parametër strategjik duhet të mos e harrojë as shteti dhe as diplomacia e Shqipërisë. Ata duhet të nxjerrin mësimet e duhura dhe të marrin masat adekuate për të papriturat dhe të panjohurat e së ardhmes së afërt, për të qenë në gjendje të mbrojnë interesat e Shqipërisë, të Kosovës dhe të kombit shqiptar.
ma.me