Debati për dhunë ndaj fëmijëve të jetimores së Shkodrës është ngritur si shqetësim në seancën e sotme kuvendore nga deputetët e Partisë Demokratike.
Ministri i Mirqënies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi lidhur me ngjarjen deklaroi se janë marrë të gjitha masat e nevojshme që ngjarja të mos përsëritet. Sipas tij, qendra në dy vitet e fundit kishte pësuar një ndryshim rrënjësor.
“Në vitin 2013 qendra ishte e mbushur me borxhe, kishte mungesë medikamentesh dhe infrastruktura ishte e rrënuar”, tha Klosi. Sipas tij, menuja ushqimore ishte e papërshtatshme, 10 mijë dollar në borxhe, infrastrukturë e rrënuar, fëmijë të lënë në mëshirë të fatit. “Nga viti 2013 deri në 2015 janë kthyer mbi 10 fëmijë në familjen biologjike, qendra nuk ka borxh të mbartura dhe fëmijët shkojnë nëpër aktivitete. Ishin në Velipojë atë ditë që ndodhi ngjarja. Nuk po mbroj as stafin dhe as drejtoreshën, por menaxhimi i asaj qendre është shembull dhe nuk dua të mbrojë njëri, por dua të theksoj se problemi qendron tjetër kund. Ajo që ka ndodhur në atë qendër ka të bëjë me sistemin edukativ dhe në këtë drejtim duhet reformë dhe strategji. Duhet bërë testim çdo vit për edukatorët”, u shpreh Klosi.
Ministri i Mirqënies Sociale dhe Rinisë u shpreh se është i gatshëm të pranojë ndihmën e opozitës si partnere të qeverisë në zhvillimin e vendit. Ministri Klosi tha se Shqipëria falë marrjes së statusit kandidat, falë punës së qeverisë në këto dy vitet e fundit ka akses në programe dhe projekte të cilat në kohën kur ju drejtonit vendin nuk mund të imagjinoheshin. “Nesër kemi një takim punonjësit social të të gjithë Shqipërisë dhe ju jeni të thirrur. Do të jenë edhe nga qendra e Shkodrës, ku punonjësit janë atje për shumë vitesh, edhe kur ishit ju. Jeni të ftuar dhe jo se u hap debati këtu, por ju takon të jeni e të jepnin kontributin tuaj, pasi shërbimi social, kujdesi për fëmijët kanë nevojë për projekte, strategji, reformë dhe bashkëpunim”, tha Klosi.