Ndërtesa e vogël e kishës Shën e Premte, dikur bartte në vetvete vlera të jashtëzakonshme të trashëgimisë sonë kulturore. E ndodhur në fshatin Valësh të Elbasanit dhe e shpallur Monument Kulture, ajo ka qenë e njohur për afresket e saj të rralla të piktutuara nga Onufri rreth vitit 1554. Por pasi ra prè e grabitjes rreth 4 vite më parë, ky monument kulture po humbet identitetin e tij.Kishës Shën e Premte në Valësh nuk i ka mbetur thuajse asgjë, ndërsa drejt po kësaj rrugë po shkon edhe kisha e Shelcanit, ku lagështira po zhduk një e nga një shenjtorët e Onufrit. Përpara kësaj situate kisha nuk ka fuqi të bëjë asgjë, pasi nuk ka kompetencë mbi monumentet e kulturës.“Këto janë monumente kulture dhe kishës ortodokse nuk i kanë lënë asnjë kompetencë për ta mbrojtur, pavarësisht se kjo e fundit ka harxhuar për restaurimin e monumenteve të kulturës mbi 10 milionë euro, më shumë sesa vet shteti”, thotë At Jani Ranxha, prift i Gjinarit.
E ndërsa specialistët ngrenë dyshimin se shkatërrime të tilla janë të qëllimshme, ata i bashkohen idesë që objektet e kultit do të mbroheshin me mirë nga kisha dhe se riparimi i tyre është shumë i vështirë, ndërkohë që theksohet mungesa e restauratorëve.
“Ne nuk kemi shkollë restaurimi. Me këtë çfarë shohim ne, do të ishte më mirë ta kishte kisha. Por duhen sensibilizuar edhe vet banorët”, thotë arkeologu Riza Hasa.
Edhe pse u dëmtuan rëndë nga grabitjet, përsëri këto monumente kulture të kategorisë së parë nuk ruhen. Rojet e dikurshëm që tashmë nuk paguhen dhe banorët e fshatit mund të bëjnë shumë pak për mbrojtjen e tyre./tch/a.k