Prokuroria e Durrësit ka vendosur nën sekuestro preventive (paraprake) 8 apartamente, një vilë, një lokal dhe një pikë karburanti, të regjistruara në emër të disa anëtarëve të familjes Tepshi, të cilët dyshohen nga autoritetet italiane si pjesëtarë të një organizate kriminale, të përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike në Itali.
Disa shtetas të familjes Tepshi janë arrestuar pak ditë më parë nga ana e forcave të Policisë së Shtetit, në bazë të urdhërit të arrestit ndërkombëtar, lëshuar nga Gjykata e Firences.
Gjatë ditës së sotme, gjykata e Durrësit, me kërkesë të Prokurorisë, ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për 6 shtetasit e dyshuar nga autoritetet italiane si pjesë e kësaj organizate kriminale. Kjo masë është vendosur në pritje të materialit të plotë nga ana e autoriteteve italiane për ekstradrimin e tyre në Itali. Paralelisht me masat e sigurisë, Prokuroria e Durrësit ka marrë lejen nga gjykata për të vendosur sekuestro preventive mbi pasuritë e shtetasve të arrestuar, me dyshimin e arsyeshëm se mund të jenë të prejardhura nga veprimtaria e dyshuar kriminale në Itali.
Gjatë ditës së enjte, Prokuroria ka vendosur sekuestro preventive në pasuritë e regjistruara në këta persona në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZVRPP), si edhe në llogaritë bankare të tyre në bankat e nivelit të dytë.