Ish-oficeri serb i Bosnjës, Lubisha Beara, i dënuar për gjenocid nga Gjykata e Hagës për krime të luftës, për masakrën e Srebrenicës në vitin 1995, ka vdekur në një burg në Gjermani, kanë thënë autoritetet.
Lubisha Beara, 77 vjeçar, ish-shef i sigurisë në selinë e armatës së serbëve të Bosnjës në kohën e luftës, ka vdekur më 8 shkurt, thanë autoritetet nëpërmjet një deklarate të mbrëmshme, raporton REL.
Ai ishte dënuar në vitin 2010 për gjenocid lidhur me rolin e tij në vrasjen e afro 8 mijë burrave e djemve myslimanë në Srebrenicë, që ishte masakra më e tmerrshme në Evropë prej Luftës së Dytë Botërore.
Lubisha Beara po e vuante dënimin me burg të përjetshëm në Tegel të Berlinit.
Deri tash ekspertët mjekoligjorë i kanë identifikuar më se 6 mijë persona të vrarë në Srebrenicë, ndërsa mbetjet e tyre janë rivarrosur në Qendrën përkujtimore Potoçari, afër Srebrenicës, citohet Koha. (b.an)