Lidhur me ngjarjen e djeshme, kur të rinjtë Drini Derveni dhe Ermira Dushi (Arapi) u gjetën të vrarë brenda makinës në Shënpjetër, Policia e Fierit bëri të ditur dje se nga të dhënat paraprake, kemi të bëjmë me vrasjen e të dashurës e më pas vetëvrasjen e të riut.
Megjithatë, burimet nga grupi i hetimit nuk përjashtuan dyshimin se ngjarja mund të jetë vrasje, duke pasur parasysh se të dy të rinjtë ishin të martuar dhe lidhja e tyre mund të jetë zbuluar.
Një dyshim të tillë e hodhën dje edhe banorë të lagjes ku jeton 32-vjeçari Drini Derveni.
“Nuk mund ta besoj se Drini e ka kryer këtë akt. Nuk ishte tip që mund të shkonte deri në vetëvrasje ai. Unë dyshoj shumë se kjo është një vrasje e pastër dhe policia duhet ta hetojë. E njohim këtu në lagje Drinin. Ai nuk do të shkonte kurrë deri në këtë pikë sa të vriste një vajzë e më pas veten”, u shpreh për “Panorama” një banor i lagjes ku jetonte 32- vjeçari, i cili u gjet dje pa jetë bashkë me 29-vjeçaren Ermira Dushi.
Dyshime kanë hedhur edhe të njohur dhe fqinjë të së ndjerës, që la jetime një vajzë 6-vjeçare./a.m.