Lidhur me grabitjen e bujshme të parave të një banke të nivelit të dytë ditën e djeshme në rrugën Tiranë-Rinas, Gjergj Bojaxhi anëtar themelues i partisë Sfida për Shqipërinë është shprehur se Shqipëria po grabitet me shuma kaq të mëdha rregullisht, dhe jo vetëm të enjteve.
Në një deklaratë ai thotë se “Rruga e Hajdutëve” në Shqipëri nuk është vetëm ajo Tiranë-Rinas, por ka shumë adresa.
“Shqipëria po grabitet rregullisht nga kjo klasë politike, e cila vijon veprimtarinë e vjedhjes e qetë e pa u shqetësuar nga askush. Grabitjet në Rinas janë vetëm një lloj vjedhjeje që tashmë janë kthyer në një spektakël publik. Por përmes konçensioneve, tenderave, projekteve apo partneriteteve , kjo klasë politike po e vjedh këtë vend me po të njëjtin skenar e në mes të ditës. Veçse këta hajdutë punojnë shtatë ditë të javës”, thotë Bojaxhi.
Bojaxhi thotë se pushtetarët shqiptarë sillen jo sikur të ishin nëpunës por zotër të këtij vendi.
“U duket sikur paratë e shqiptarëve janë paratë e tyre. Por askush nuk do t’i shpëtojë drejtësisë. Drejtësi të cilën do ta vendosin institucionet të cilat po ndërtohen me ndihmën e ndërkombëtarëve por edhe qytetarët përmes votës”, përfundon deklaratën Gjergj Bojaxhi, i partisë së re Sfida për Shqipërinë. /a.k.