Nga Lorenc Vangjeli
Të enjten, ish-kryeministri Berisha po mbushte orën e parë të monologut të tij duke arritur në gjysmën e tij kur një nga deputetët e PD-së e njoftoi se sapo kishte ndodhur grabitja në rrugën e Rinasit. Doktori pa kthyer kokën pas, aty ku ndodhet tryeza me dy kate e antarëve të qeverisë, tha me tonin e gjykatësit që mund ta ketë vetëm ai, të pangatërrueshëm dhe të paimitueshëm nga askush: “Saimir Tahiri e ka vjedhur!”.
Ministri i brendshëm pikërisht në atë çast ndodhej në sallën e seancave, por kjo nuk është e mjaftë për alibinë e tij. Sepse për Doktorin ai është njëri skaj i fajtorëve që në këtë rast, si në të gjitha rastet e tjera janë çift, domethënë, kryeministri Rama dhe ministri i tij i brendshëm Tahiri. Fajtorë jo vetëm me metaforë dhe në metaforë.
Një xhirim amator i shpërndarë në të gjitha rrjetet sociale dhe televizionet e vendit tregonte momentet e para të situatës pas grabitjes. Një nga punonjësit e policisë private, nën efektin e adrenalinës që i kishte shkaktuar ngjarja e frikshme, i tmerruar nga tytat e armëve që e kishin parë në sy ca sekonda më parë, ndoshta edhe nën pushtetin e frikshëm të parandjenjës për atë që do t’i ndodhte fatit të tij orë më pas – ai është arrestuar tashmë – bërtiste duke vrapuar në mes të rrugës. Shau rëndë siç shajnë gjithë shoferët shqiptarë, tha se patrulla e policisë kishte qenë aty dhe se ishte “…shteti që e kishte bërë”.
Me të njëjtin dialekt si Doktori dhe me fjalë të ndryshme, ai tha nga rruga e Rinasit, pothuaj në të njëjtën kohë me Doktorin nga salla e parlamentit, të njëjtën gjë që tha dhe ish-kryeministri.
Të vesh gishtin tek shteti për gjithçka, ta shohësh shtetin si përgjegjës për gjithçka, për shembull, të ndërtosh shtëpinë në shtratin e lumit dhe ta fajësosh kur shtëpinë ta merr lumi, është një mendësi tipike komuniste e të shkuarës. Në komunizëm shteti ishte përgjegjës për gjithçka. Nga lindja e deri tek vdekja e qytetarit shqiptar.
Në një atdhe të rilindur në kapitalizëm si Shqipëria e sotme, kur tregu dhe marrëdhëniet private kanë fituar padiskutueshmërisht terren, të kërkosh shtetin kudo, siç bën edhe politika për qëllime politike, edhe qytetari nga padija dhe instikti i pandryshuar komunist, është e tepërt. Jo sepse shteti, në kuptimin e institucioneve të tij dhe të funksionimit të tyre, nuk është përgjegjës për shumëçka të ligë që ndodh në vend. Shqipëria është shumë larg të qenit një vend ku institucionet funksionojnë.
Eshtë një zinxhor i pafundëm dobësish të tyre, që nisin që nga politika e cila prodhon institucionet, e deri tek qytetari që pret dhe kërkon shërbim nga to që e bën Shqipërinë një vend ende joevropian. Në mënyrën e sjelljes dhe në stilin e sjelljes.
Në rastin e grabitjes së përsëritur të parave në rrugën e Rinasit, të vërtetat janë disa dhe shumë të thjeshta. Ato përfshijnë edhe shtetin BerishaMeksiNano(Majko)MetaBerishaRama, edhe privatin me një seri të pafundëm emrash, duke dhënë provën e trishtuar se edhe shteti që është ngritur, edhe privatët lokalë apo të importuar, nuk janë ata që do të duhej të ishin.
Në fundjavë, përgjithësisht e kryesisht në ditën e enjte, bankat e nivelit të dytë bëjnë transportin e valutës së tyre në bankat partnere jashtë Shqipërisë. Për arsyet e tyre, qoftë për depozitim apo dhe për t’i investuar sipas planeve të tyre të biznesit. Këtë detaj e di gjithkush. E dinë vetë bankat që e kanë rutinë një akt të tillë, e dinë shoqëritë e ruajtjes fizike, e di “shteti” dhe natyrisht e dinë edhe grabitësit. Pra, mundësi që grabitje të tilla të ndodhin të martën, të mërkurën apo të shtunën në këtë aks rrugor janë fare minimale. Kështu që ditën e enjte kur ndodhin transporte të tilla, të gjitha këto hallka, duhet të ishin në alarm. Rama e Tahiri, domethënë “shteti” që thoshte polici privat në rrugë, duhet ta patrullojë e sigurojë këtë segment rrugor nga Tirana në Rinas në mënyrë kapilare. Sepse në fund fare, fatura bie mbi ta. Dhe sot kjo është një faturë, qoftë dhe morale që nuk shmanget dot.
Shoqëritë e sigurimit fizik të licensuara për këtë lloj transporti kanë dështuar disa herë vetëm muajt e fundit. Një pjesë e tyre nuk kanë as kapacitetet njerëzore dhe as ato materiale për ta përmbushur këtë mision delikat. Dikush që ngrys muajin me më pak se 150 euro rrogë, ka një tundim të tmerrshëm të drejtojë makinën që mban disa milionë euro brenda. Por është e pabesueshme që dikush tjetër që merr mijëra euro rrogë, që menaxhon miliona euro t’i besojë transportin e kësaj shume shoqërive të tilla. Që duke nisur nga detaji më elementar, nuk kanë makina të blinduara. Dhe që në mungesë të tyre, modifikojnë si të tilla, ca mjete me dhjetra mijëra kilometra përdorim. Apo dhe që ndiqen nga pas me makina eskortë që ndizen me të shtyrë, ecin me të shtyrë dhe ndalin me të shtyrë nga para.
Edhe pse ministri Tahiri ka kërkuar disa herë drejtuesve të bankave që këtë transport të veçantë, ta bëjë me policët e tij, bankat kanë refuzuar sepse policët e Tahirit ndoshta kanë një kosto më të lartë shërbimi.
Të shtrenjtë në krunde dhe barbarisht të lirë në krunde, ky parim i artë ka bërë ca grabitës më të pasur, ka futur ca fakirë në burg dhe ka shtuar dhembjen e kokës për të gjithë, shtet e privat.
Thelbi i kësaj historie, e parë jo si një ngjarje konkrete, por si një fenomen, ka nevojë për zgjidhje inteligjente dhe urgjente. Nga ato që vijnë me letër të shkruar. Që urdhërojnë një nivel minimal të kënaqshëm page për punonjësit që bëjnë transporte të tilla, të pajisur me licensën e tipit 1.3.B. Që kërkojnë trajnimin dhe testimin e tyre në një cikël të detyrueshëm kohe, që specifikojnë se standarti i makinave të blinduara duhet të jetë katër apo katër plus. Duhet urdhëruar që asnjë kompani private e sigurisë fizike që nuk plotëson këto kushte, nuk lejohet të operojë. Në letër të shkruar këto rregulla minimaliste reduktojnë në makimum mundësinë që ngjarje të tilla të përsëriten. Ose një zgjidhje tjetër është që Rama e Tahiri, shteti pra, të marrë përsipër këtë përgjegjësi duke garantuar kështu edhe dështimin e grabitësve edhe përgjegjësinë vetjakë të shtetit nëse grabitësit kanë sukses. Në Perëndim histori të tilla janë shumë të rralla dhe shihen vetëm në filmat e viteve 80’-90’ apo dhe ata më të vjetër bardh e zi. Nuk i parandalon policia, por masat parandaluese që marrin vetë pronarët e parave dhe transportuesit e tyre; masa që nisin që me teknologjinë e përdorur e nuk mbarojnë me bojën që ngjyros paratë kur përfundojnë në dorë të gabuar.
Pak rëndësi ka kapja dhe ndëshkimi i pesë banditëve që sot janë shumë më të pasur se dje. Ata janë vetëm hallka fundore në këtë zinxhir shkak e pasojë përgjegjësish. Në mëkat është madje edhe ai votuesi i majtë/djathtë/indiferent në vendngjarje, që në vend që të telefononte policinë për grabitjen, filmonte për në Instagram ngjarjen.
“E ka vjedh’ Saimir Tahiri!”, siç tha politikisht Doktori, “E ka bo shteti vet’!”, siç tha nga halli, hallexhiu fakir i arrestuar, nuk zgjidh asgjë. Pamja e atyre makinave të modifikuara si transportues të blinduar janë portreti i shoqërisë sonë. Në thelb ky portret i ngjan argjendarit i cili në një rreth llamarinë vendos një diamant të çmuar. Dhe pastaj bërtet, ulërin, ankohet, akuzon, qan e qahet se pse i shkoi dëm diamanti. Dhe nëse ai fajëson gjithkujt tjetër përveç vetes, me siguri është dora jonë që harron lehtë dhe mëson me shumë vështirësi.