Ministri i financave, Arben Ahmetaj, do të propozojë në qeveri një nisëm e cila do te rikthejë rolin e policisë se shtetit në shoqërimin e vlerave monetare që transportojnë bankat.
Në një intervistë për televizionin Klan, Ahmetaj thotë se ngjarje të tilla janë te dhimbshme për t’u dëgjuar, për të, nëse në shoqërimin e parave do te kishte prani të efektivëve te policisë, grabitja nuk do të kishte ndodhur.
“Është intitucioni që është i përgatitur për të parandaluar raste të tilla prandaj propozoj që bankat të arrijnë një marrëveshje me policinë, që kur bëhet transferta të parasë cash, të shoqërohen nga policia.”- tha Ahmetaj.
Ahmetaj shpreh bindjen se policia i ka kapacitetet dhe ekspertizën teknike për ta bërë këtë më mirë se kompanitë e shoqërimit fizik.
“Policia i ka të gjitha kapacitetet, qoftë integritetin, qoftë përgatitjen, që ti përgjigjet këtyre fenonemeve më mirë, më shpejt dhe më me siguri se askush tjetër.”– përfundoi ministri.
Propozimi i kreut të financave synon të rikthejë rolin e mëparshëm të policisë, ku një grup me efektivë të saj shoqëronte makinat që transportonin vlerat monetare. Në harkun kohor të 10 viteve, kur shoqërimi bëhej nga policia e shtetit, ka ndodhur vetëm një rast grabitjeje./a.k